Prof.Dr. Anastas Angjeli

Anastas Angjeli DSC4500 web

Akademik Anastas Angjeli mban postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që nga data 31 mars 2022.

Prof. Dr. Angjeli u diplomua si ekonomist, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1980 dega “Financë-Bankë” dhe më pas ka vijuar studimet pasuniversitare të nivelit PhD në degën “Financat Publike” në vitin 1987 pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Gjatë periudhës 1991-1992 ka kryer studimet pasuniversitare në degën “Financat Publike” pranë Universita di Economia e Comercio, Bari (Italy).

 

Karriera e tij e pasur akademike nis që në vitin 1982 si lektor i Financave Publike pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Që prej vitit 1995 ai mban titullin profesor në financë, dhe titullin akademik pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë prej vitit 2011, ndërkohë që është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve që prej vitit 2013.

Prof. Angjeli mban titullin Doctor Honoris Causa në disa universitete si Universiteti i Stambollit në Turqi, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe Universiteti NAU, në Kiev, Ukrainë.

Në vitet 2007 - 2013 ka qenë profesor i ftuar në disa universitete brenda dhe jashtë vendit, ndërsa gjatë periudhës 2009 - 2013 ka mbajtur postin e Rektorit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Prof.Dr. Angjeli gjatë karrierës së tij të pasur ka dhënë kontributin e tij jo vetëm në fushën akademike por gjithashtu edhe në atë të sektorit publik.

Prof. Dr. Angjeli ka qenë disa herë anëtar i kabinetit qeveritar dhe ka ushtruar detyrën si Ministër i Financave, Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ministër i Ekonomisë. Në këto funksione, ai ka mbajtur edhe postin e Zëvendësguvernatorit të Republikës së Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ai gjithashtu ka edhe një karrierë të gjatë si ligjvënës duke shërbyer si deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë, duke nisur që nga 1992 e deri në 2021, ku ka mbajtur edhe postin e anëtarit, nënkryetarit dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Prof.Dr. Angjeli është autor i shumë botimeve studimeve shkencore me karakter ekonomiko-social  si brenda dhe jashtë vendit.

Z. Angjeli është Mbajtës i Urdhrit të Pavarësisë akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2019, si dhe mbajtës i titullit Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2022.

Është zotërues i katër gjuhëve të huaja asaj angleze, italiane, ruse dhe greke.