Ndërtesa qendrore e Bankës së Shqipërisë
"...Godina e Bankës së Shqipërisë është një ndërtesë rreth 70-vjeçare, e vendosur në qendër të Tiranës... Solide dhe e rëndë në pamjen e parë, ajo rrethohet nga një ngrohtësi origjinale e cila buron nga ngjyra e kuqërremtë e fasadës dhe forma e zbutur e gjysmërrethit. Duket sikur në këtë mënyrë arrin të mbajë brenda vetes përgjegjësi të mëdha dhe njëkohësisht të reflektojë në ambient siguri dhe besim!..."Ardian Fullani,
Parathënia e broshurës "Godina e Bankës së Shqipërisë"

Arkitektura e ndërtesës qëndrore
Stili arkitektonik i ndërtesës i përket rrymës së "Racionalizmit" që lulëzoi në gjysmën e parë të shek. XX në Evropë. Në të gjitha këndvështrimet, ai shquhet për harmoninë dhe ritmin, si dhe për gjetjen e përmasave racionale të dyerve, të dritareve, të lozhave, të portikut madhështor; për kombinimin e ngjyrave dhe unitetin në materialet veshëse të fasadës.

Historia e ndërtesës qëndrore
Punimet për ndërtimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë filluan në shkurt të vitit 1937, ndërsa ceremonia e përurimit të saj u zhvillua në 30 tetor 1938. Ajo u projektua nga prof. Vittorio Ballio Morpurgo, një ndër arkitektët italianë më të njohur të asaj kohe.

Projekti i rikonstruksionit
Domosdoshmëria e rikonstruksionit dhe restaurimit të ndërtesës lindi nga nevoja për rritjen e funksionalitetit të ambienteve në ndihmë të aktiviteteve të Bankës së Shqipërisë, dhe mbështetet në parimin e kthimit në origjinalitet të ndërtesës ekzistuese.