Projekti i rikonstruksionit

 

Projektimi dhe planifikimi

Për më shumë se 70 vjet, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë ka strehuar brenda saj shumë prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, si Banka e Shtetit, Ministria e Financave apo dhe si filial i B.K.T.-së  për qytetin e Tiranës.

Gjatë këtyre viteve deri në projektin e ri, për këtë ndërtesë nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për rikonstruksione të thjeshta ose të plota për ta rikthyer atë në gjendjen fillestare. Ka patur tentativa për projekte rikonstruksioni, por nuk është mundur të realizohen. Ndërkohë ka pasur mirëmbajtje të thjeshta, të cilat janë parë si domosdoshmëri për të mos e lënë ndërtesën të degradohet, kjo derisa të niste realizimi i projektit të plotë i ndërhyrjes së rikonstruksionit.

Kështu, pas më shumë se 70 vjetësh godina mbeti po ajo, Ndërkohë që Banka e Shqipërisë zhvillohej me ritmin e kohës, godina ku ajo ushtronte aktivitetin për fat të keq vazhdonte të ishte ajo e 70 viteve më parë. Një godinë me arkitekturë unike, me vendodhje të përkryer, por që nga këndvështrimi i hapësirave të punës dhe funksionaliteteve kishte mbetur mbrapa me kohën.

Në kuadër të strategjisë së saj së zhvillimit, aktiviteti i Bankës së Shqipërisë zgjerohet dita-ditës dhe kualifikohet vazhdimisht. Si rrjedhim, ndërtesa nuk mund të plotësonte edhe kërkesat më minimale: akomodimin në ambiente pune të punonjësve të saj, për të mos thënë që për aktivitete të tjera të natyrës parësore, përfaqësuese dhe ndihmëse, si salla mbledhjejesh, konferencash, bibliotekë, muze si dhe ambiente të tjera të natyrës sociale as nuk mund të bëhej fjalë.

Pra, domosdoshmëria e rikonstruksionit dhe restaurimit të ndërtesës lindi si realizim i kërkesës kryesore për rritjen e funksionalitetit të ambienteve në ndihmë të aktiviteteve të Bankës së Shqipërisë, e cila mbështetej dhe në një parim tjetër, atë të kthimit në origjinalitet të ndërtesës ekzistuese.

Për këtë arsye, u shfrytëzua ideja e Morpurgos: të ndërtohej një shtesë në krahët jugorë dhe perëndimorë të oborrit, të një ndërtese ose të një kompleksi të ri, lartësia e të cilit duhet të ishte sa ajo e ndërtesës ekzistuese. Kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë, gjeti mbështetje dhe në planin rregullues të qendrës së qytetit të Tiranës.

Nevoja e rikonstruksionit

Banka e Shqipërisë vendosi me procedurë të veçantë organizimin e një konkursi ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë për rikonstruksionin e ndërtesës qendrore të saj. Duke patur parasysh rëndësinë që paraqiste ky projekt, si dhe për të garantuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e subjekteve më prestigjioze në këtë fushë, Banka e Shqipërisë publikoi njoftimin për zhvillimin e konkursit ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë në gazetën prestigjioze "Financial Times" si dhe në shtypin vendas. Njoftimi iu komunikua gjithashtu ambasadave të huaja, shoqatave profesionale, si dhe u botua në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë .

Pas këtyre publikimeve, shfaqën interes për të marrë pjesë në konkurs 27 studio projektimi dhe projektues të huaj, nga të cilët 17 prej tyre paraqitën dokumentacionin përkatës.

Konkursi u zhvillua në tre faza, ku në fazën e parë u verifikua kualifikimi ligjor i dokumentacionit të detyrueshëm për paraqitje nga konkurrentët. Në fazën e dytë, nëpërmjet një jurie ndërkombëtare   me ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, u krye vlerësimi teknik duke u ruajtur deri në këtë fazë fshehtësia e identitetit të 8 (tetë) konkurrentëve që kaluan fazën e kualifikimit ligjor. Në përfundim të vlerësimit, juria renditi në një listë përmbledhëse projekt-idetë sipas numrit të pikëve të fituara nga çdo konkurrent dhe vendosi për kualifikimin në fazën e tretë të 3 (tre) projekt-ideve, që fituan numrin më të lartë të pikëve.

Konkursi për projektidenë

Juria është strukturë vendimmarrëse e përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë si më poshtë:

  • Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë - Kryetar
  • Ark. Agron Lufi, Këshilli i Ministrave - Anëtar
    Drejtues i Departamentit te Arkitekturës pranë Fakultetit te Inxhinierisë së Ndërtimit
  • Hanspeter K. Scheller, Banka Qëndrore Evropiane - Anëtar
    Ish Sekretar i Përgjithshëm i Institutit Monetar Evropian
    Drejtor i Përgjithshëm i Administratës i Bankës Qendrore Evropiane
    Anëtar i jurie për planifikimin urban ndërkombëtar dhe konkursit për dizenjon arkitekturore të ambienteve të reja të BQE
  • Ing. Patrizio Giuliani - Anëtar
    Drejtues teknik, Banka e Italisë
  • Ark. Paolo Anselmi - Anëtar
    Drejtues teknik, Banka e Italisë
  • Ark. Arben Biçoku, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë - Anëtar
    Nënkryetar i Shoqatës së arkitektëve të Shqipërisë
  • Adelina Greca, Bashkia e Tiranës - Anëtar
    Përgjegjëse e Sektorit të Studimeve Urbane Pjesore
  • Lorenc Bejko, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve - Anëtar
    Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës
  • Agron Skënderaga, Banka e Shqipërisë - Anëtar
    Financier, Drejtor i Departamentit të Administrimit
  • Ing. Ylli Këllezi, Banka e Shqipërisë - Anëtar
    Zëvendësdrejtor i Departamentit te Administrimit
  • Toni Gogu, Banka e Shqipërisë - Anëtar
    Jurist, Drejtor i Departamentit Juridik
Juria

Realizimi i procedurave të konkursit deri në përcaktimin e fituesve të 3 (tre) çmimeve të para, duhet të kryhet sa më poshtë.

  • Data e fillimit te procedurës do të jetë, data 25.04.2007.
  • Regjistrimi i kandidatëve për konkurrim do të kryhet brenda datës 25.06.2007  Mbas kësaj date nuk pranohen më regjistrime.
  • Konkurrentët e regjistruar duhet të dorëzojnë në Bankën e Shqipërisë dokumentacionin e plotë ligjor, teknik, maketin, ofertën ekonomike, vlerën e preventivit paraprak dhe afatin e realizimit të projektit të zbatimit, brenda datës 25.09.2007.
  • Komisioni, do të shqyrtojë dokumentacionin ligjor dhe do të vendosë për konkurrentët që do të kualifikohen për fazën e vlerësimit teknik, brenda datës 25.10.2007. 
  • Juria do të kryejë vlerësimin teknik të çdo konkurrenti të kualifikuar pas fazës së kualifikimit ligjor dhe do të përcaktojë renditjen e të gjithë konkurrentëve në përgjithësi dhe të tre vendeve të para në veçanti, brenda datës 25.12.2007.
  • Juria do të dëgjojë dhe vlerësojë argumentet e paraqitura nga konkurrentët e renditur në tre vendet e para, në përfundim të fazës së vlerësimit teknik dhe do të konkludojë me vendimin e përcaktimit të renditjes finale të tre çmimeve të para, brenda një afati 2 (dy) - mujor nga data e përcaktimit të renditjes së të gjithë konkurrentëve në përgjithësi, dhe të tre vendeve të para në veçanti. Afati maksimal i shpalljes do të jetë data 25.02.2008.
  • Pas miratimit nga Kryetari i Entit Prokurues të Bankës së Shqipërisë, të marrjes së çmimeve nga tre fituesit pas fazës së renditjes përfundimtare, Departamenti i Administrimit,  do të fillojë procedurat për lidhjen e kontratës me fituesin e çmimit të parë.

Projekti fitues, i cili tashmë ka filluar zbatimin edhe në praktikë,  është realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi. Arkitekt Petreschi, mban titullin profesor dhe është Shef i Katedrës së Arkitekturës në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Arkitekt Petreschi, përveç krijimtarisë së tij arkitekturore, është edhe një njohës i thellë i kulturës dhe traditës së arkitekturës italiane të epokës së racionalizmit, kur është realizuar projekti i Morpurgos.

Qëllimi primar i këtij projekti është rikthimi në gjendjen fillestare (projekti origjinal) i ndërtesës. Çdo ndryshim, shtesë ose ndërhyrje e realizuar nga viti 1938 e deri më sot do të eliminohet. Gjatë procesit të rikonstruksionit të ndërtesës, elementët e ndryshëm arkitekturorë (dyer, dritare, rifinitura të ndryshme) do të rifreskohen, me restaurime ose edhe me zëvendësime, të cilat do t’i përkasin të njëjtin material, formë, teknologji, etj.

Respektimi i vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë ka qenë kërkesa kryesore e Bankës së Shqipërisë ndaj projektit fitues. Për rrjedhojë, elementët artistikë, si basorelievet dhe mozaikët, do të restaurohen nën mbikëqyrjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe të specialistëve italianë. Metodikat, mënyrat e restaurimit dhe teknologjitë që do të përdoren janë parashikuar në projektin përkatës, për çdo element në veçanti.

Në projektin e ri, parashikohet që në përputhje me filozofinë e Bankës së Shqipërisë, përveç plotësimit të kërkesave administrative të plotësohet edhe kërkesa për marrëdhënie më të plota dhe transparente me publikun. Në këtë kuadër, është parashikuar që në këtë ndërtesë, Banka e Shqipërisë do të ketë muzeun e numizmatikës dhe të historisë së aktivitetit financiar dhe bankar të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, koleksioni i pasur i monedhave dhe kartëmonedhave të emetuara që nga antikiteti e deri më tani do të jetë i hapur për publikun.

Projekti fitues

Zbatimi i projektit të rikonstruksionit

Në datën 16.09.2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi me Vendimin nr.68 procedurën e veçantë  për prokurimin e objektit “Rikonstruksioni i godinës qendrore dhe ndërtimi i kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë”.

Ky vendim përcakton procedurën, afatet dhe fondet në dispozicion për prokurimin e këtij objekti.

Në datën 28 mars 2011 u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe fillimin  e punimeve për kompleksin e ri. Punimet janë parashikuar të përfundojnë brenda një harku kohor prej dy vitesh.

Projekti fitues është realizuar nga arkitekti italian Prof. Marco Petreschi. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni Arkitekti Petreschi është shprehur “ Në fakt në qoftë se do të përpiqesha të shpjegoja thelbin e këtij projekti do të përdorja vetëm pak fjalë - një dialog midis arkitekturës ekzistuese dhe arkitekturës së re.”

Ndërsa, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode ka theksuar se rrallëherë në Shqipëri një institucion e ka të lidhur historinë e zhvillimit të tij me ndërtesën ku kryen aktivitetin e tij.

Ceremonia e fillimit të punimeve

Projekti, përveç rikonstruksionit dhe restaurimit të godinës ekzistuese, parashikon dhe zgjerimin në krahun jugor dhe atë perëndimor të saj, duke mundësuar kështu krijimin e një kompleksi të ri. 

Në oborrin e Bankës së Shqipërisë, ku sipas projektit do të vendosen ndërtesat e reja shtesë, është përfunduar ndërtimi i murit rrethues nëntokësor (diafragmë) dhe ka filluar gërmimi për të arritur kuotat e thellësisë të parashikuara në projekt. 

Në fazën aktuale po zbatohet teknologjia e ankorimit të murit rrethues nëntokësor e cila është, nga pikëpamja inxhinierike, pjesa më e rëndësishme në zbatimin e projektit.  

Paralelisht me punimet e kryera nga grupi i inxhinierëve zbatues, merren masat për avancimin e punimeve në drejtim të instalimit të pajisjeve kryesore si dhe të rifiniturave në objektin ekzistues. 

Gjithashtu, punimet vazhdojnë edhe në ambientet e ndërtesës ekzistuese, ku dhe janë ndërmarrë ndërhyrje në ndërtimin e muraturave të ndryshme, në instalimet elektrike, informatike, hidraulike, të telefonisë të ajrit të kondicionuar si dhe  në tarracat ekzistuese duke riparuar shtresat e hidroizolimeve.