Rreth Bankës
Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë. Ky status sanksionohet në nenin 161 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjin 8269/1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i cili përcakton objektivat, detyrat, marrëdhëniet me sistemin bankar dhe me shtetin, organizimin dhe drejtimin, pronësinë mbi kapitalin, pasqyrat financiare dhe shpërndarjen e fitimit.
Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ajo është autonome dhe e pavarur nga çdo pushtet tjetër në realizimin e objektivit kryesor dhe objektivave e detyrave të tjera.
Banka e Shqipërisë është bankë me kapital tërësisht shtetëror dhe përgjigjet përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili kryesohet nga Guvernatori, që vepron edhe si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj.
Vizioni
Vizioni i Bankës së Shqipërisë është forcimi i mirëqeverisjes, përmes forcimit të pavarësisë, rritjes së llogaridhënies e transparencës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek institucioni.
Misioni
Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Nëpërmjet arritjes së këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ndihmon në krijimin e premisave të duhura për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, të punësimit dhe të mirëqenies, ruan vlerat e kursimeve, si dhe ndihmon stabilitetin e zhvillimin e sistemit financiar. Përmbushja e objektivit realizohet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit në mënyrë të pavarur të politikës monetare.
Si emetuese e monedhës kombëtare, Banka e Shqipërisë nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave me synim: sigurimin e qarkullimit të sigurt, të shpejtë dhe me kosto të ulët të parasë në ekonomi; parandalimin e rrezikut sistemik; dhe ruajtjen e stabilitetit të institucioneve dhe tregjeve financiare.
Banka e Shqipërisë promovon stabilitetin e sistemit financiar – besimin publik tek institucionet, tregjet dhe infrastruktura financiare – duke rregulluar, licencuar dhe mbikëqyrur bankat dhe institucionet e tjera financiare, si dhe duke identifikuar dhe analizuar rregullisht rreziqet dhe kërcënimet ndaj stabilitetit financiar.
Vlerat
Në funksion të forcimit të besimit publik tek institucioni, veprimtaria e Bankës së Shqipërisë udhëhiqet nga këto parime:
- Integriteti dhe etika
- Kompetenca dhe profesionalizmi
- Efektiviteti dhe efikasiteti
- Puna në grup dhe inovacioni