Pritjet për inflacionin
Pritjet për inflacionin ndikojnë vendimmarrjen e agjentëve financiarë për konsum dhe investime. Si të tilla, ato përbëjnë një tregues të rëndësishëm për të vlerësuar presionet inflacioniste dhe inflacionin në të ardhmen. Për bankat që kanë adoptuar strategjinë e shënjestrimit të inflacionit - e cila në vetvete është një strategji paraprijëse - pritjet për inflacionin janë edhe tregues besueshmërie. Nëse agjentët ekonomikë besojnë se banka qendrore do të reagojë për ta çuar inflacionin në objektiv, atëherë pritjet e tyre inflacioniste do të ishin të ankoruara pranë këtij objektivi dhe vendosja e çmimeve dhe e pagave do të tentonte të ishte në këtë linjë. Pritjet për inflacionin janë indikatorë të inflacionit të ardhshëm, ndaj përfshihen në procesin e modelimit dhe të parashikimit afatmesëm të inflacionit.
Pritjet për inflacionin janë tregues i pamatshëm drejtpërdrejt nga statistikat zyrtare. Ato vlerësohen me metoda të ndryshme, ku më e përhapura është ajo e vrojtimeve. Banka e Shqipërisë vlerëson pritjet e inflacionit, nëpërmjet të dhënave që merr nga vrojtimet për inflacionin e pritur, pranë bizneseve, konsumatorëve dhe agjentëve financiarë. Më shumë informacion mbi vrojtimet përkatëse gjendet në shënimin metodologjik.
Përditësimi i pritjeve për inflacionin bëhet në përputhje me kohën e realizimit të Vrojtimeve të Besimit dhe të Agjentëve Financiarë. Publikimi i tyre do të bëhet rreth datës 15 të muajit pasardhës, ose në ditën pasuese nëse kjo bie ditë pushimi.
Seritë kohore