Objektivi dhe strategjia
Objektivi kryesor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Teoria dhe praktika botërore sugjerojnë se qëndrueshmëria e çmimeve është kontributi më i madh që banka qendrore mund të japë për të mbështetur rritjen afatgjatë ekonomike të vendit. Më konkretisht, nëpërmjet garantimit të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë jep një kontribut direkt në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit, në uljen e primeve të rrezikut, në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe në përmirësimin afatgjatë të mirëqenies, si dhe në mbështetjen e stabilitetit të sistemit financiar.
Në terma sasiorë, me stabilitet çmimesh Banka e Shqipërisë do të kuptojë mbajtjen e inflacionit të çmimeve të konsumit në nivelin 3.0 për qind, në një periudhë afatmesme. Objektivi i inflacionit është ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit, i matur dhe i publikuar nga INSTAT.
Banka e Shqipërisë gjykon se, nëpërmjet ruajtjes së inflacionit rreth nivelit 3.0 për qind, politika monetare do të vazhdojë të japë një kontribut pozitiv në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Indikatori kryesor i balancës së presioneve inflacioniste në ekonomi dhe i reagimit të dëshiruar të politikës monetare do të jetë devijimi i parashikimit afatmesëm të inflacionit nga niveli i synuar, i mbështetur nga një analizë e përgjithshme e treguesve ekonomikë.
Krahas matjes së inflacionit si ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit, Banka e Shqipërisë, me qëllim përmirësimin e vendimmarrjes në politikën monetare përdor edhe matje të tjera të tij, si inflacioni bazë, inflacioni i mallrave të tregtueshëm dhe të patregtueshëm, dhe pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë. Këto matje krijojnë një bazë më të plotë për të marrë vendime sa më realiste.