Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti Vjetor
Viti 2015 ka qenë një vit i ngarkuar me sfida, si për ekonominë shqiptare
ashtu edhe për Bankën e Shqipërisë. Kthimi i inflacionit në objektiv, nxitja e
rritjes ekonomike dhe përmirësimi i treguesve të shëndetit të sistemit bankar,
kanë kërkuar vëmendje të veçantë. Këto sfida janë bërë edhe më të vështira
nga ambienti i jashtëm i pafavorshëm, nga problemet strukturore të ekonomisë
shqiptare, si dhe nga goditjet e ndryshme me të cilat është përballur ajo gjatë
vitit.
Megjithatë, viti që lamë pas rezultoi një vit pozitiv për zhvillimin ekonomik të
vendit. Rritja ekonomike u përshpejtua, treguesit kryesorë të shëndetit ekonomik
dhe financiar erdhën në përmirësim dhe bazat e zhvillimit të vendit janë forcuar.
Këto zhvillime krijojnë premisa pozitive për përmbushjen e objektivit tonë të
inflacionit në të ardhmen, si dhe për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar.