Material category: Publikime Periodike / Raporti Vjetor
Ekonomia shqiptare u përball me një ambient të huaj sfidues, me goditje të ofertës të cilat dëmtuan prodhimin në sektorë specifikë dhe me pamundësinë e përdorimit të stimulit fiskal. Pavarësisht këtyre, rritja ekonomike u përmirësua gjatë vitit 2014, në sajë të rritjes së kërkesës së brendshme dhe aktivitetit të sektorit privat. Megjithatë, presionet inflacioniste mbetën të ulëta, duke reflektuar dobësinë ciklike dhe rënien e inflacionit të importuar. I nflacioni mesatar i vitit 2014 rezultoi në nivelin 1.6%. Në këtë ambient me presione të dobëta inflacioniste, karakteri stimulues i politikës monetare u forcua më tej. Norma bazë e interesit zbriti nga 3% në fillim të vitit, në 2.25% në fund të tij. Për përcjelljen e stimulit të saj monetar, Banka e Shqipërisë përdori kuadrin e zakonshëm të instrumenteve të injektimit të likuiditetit si dhe instrumentin e sinjalizimit të kahut të politikës monetare për të ardhmen.