Titujt shtetërorë
Titujt shtetërorë apo letrat me vlerë të qeverisë, janë instrumente borxhi të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Titujt shtetërorë emetohen në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve, në monedhë kombëtare dhe të huaj.
Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtër me maturim 3, 6 dhe 12 mujor. Interesi i përfituar nga ky instrument llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes së kuponit.
Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesëm dhe afatgjatë me maturitet 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15 vjeçare. Interesi i përfituar në formën e kuponit, paguhet çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit. Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por obligacionet, mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe një marzhi fiks që përcaktohet në ankand.
Norma e indeksit llogaritet para zhvillimit të ankandit/datës së ripërcaktimit të kuponit të obligacionit variabël, si mesatare e interesit të ponderuar të bonove të thesarit 12 mujore në tre ankandet e fundit.
Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm.
- Marrëveshje midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave për organizimin e ankandeve të titujve të shtetit shqiptar, shlyerjen e veprimeve, dhe mbajtjen e regjistrit të këtyre titujve.
- Udhëzim për emetimin nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë të obligacioneve në formë regjistrimi.
- Udhëzim për emetimin nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë e bonove të thesarit në formë regjistrimi.