Vlerësimi i rrezikut sistemik
Rreziku sistemik përfaqëson mundësinë e çrregullimeve në sistemin financiar, që mund të çojnë në pasoja negative serioze për funksionimin e sistemit financiar dhe të ekonomisë reale. Rreziku sistemik mund të shfaqet në dimensionin ciklik dhe në atë strukturor:
- Dimensioni ciklik i rrezikut sistemik buron nga prirja e institucioneve financiare për të marrë përsipër më shumë rrezik në periudha të rritjes ekonomike, dhe për t’u shfaqur tepër të tërhequr gjatë periudhave të rënies ekonomike. Kjo sjellje shoqërohet me zhvillime financiare të paqëndrueshme gjatë fazës zgjeruese të ciklit ekonomik të cilat më pas, gjatë rënies së tij, mund të sjellin shitje të nxituar të aktiveve dhe rënie të fortë të çmimit të tyre, dobësim të bilanceve, stres të situatës së financimit dhe tkurrje të kreditimit.
- Dimensioni strukturor i rrezikut sistemik buron nga shtrirja e rrezikut brenda sistemit financiar. Ai shfaqet në rastet kur institucionet financiare janë aq të mëdha ose aq të ndërlidhura saqë kur ato preken nga një zhvillim i pafavorshëm ekonomik ose financiar, lokal ose ndërkufitar, pasojat mund të kërcënojnë stabilitetin e të gjithë sistemit financiar.
Për vlerësimin e rrezikut sistemik, Banka e Shqipërisë analizon rregullisht treguesit e ekonomisë reale, treguesit e sektorit bankar dhe më gjerë atij financiar. Analizat mundësojnë identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut sistemik, edhe me mbështetjen e ushtrimeve të provës së rezistencës. Këto të fundit, synojnë të provojnë aftësinë e sektorit bankar për t’u bërë ballë humbjeve që rezultojnë prej materializimit të ngjarjeve të pafavorshme ekstreme, por të mundshme, në sektorin real dhe atë financiar vendas.
Banka e Shqipërisë zhvillon edhe vrojtime me pjesëmarrës të tregut financiar, të cilat gjithashtu ndihmojnë në procesin e identifikimit të dobësive në strukturën dhe funksionimin e sistemit financiar, që mund të çojnë në paqëndrueshmëri sistemike. Rezultatet dhe vlerësimet e analizave të mësipërme, publikohen edhe në Raportin e Stabilitetit Financiar.