Marrëveshje dhe bashkëpunime
Në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, në nivel kombëtar, Banka e Shqipërisë, ndonëse është drejtpërdrejt përgjegjëse për politikën monetare, mbikëqyrjen mikroprudenciale dhe zgjidhjen e bankave, bashkëpunon me Ministrinë e Financave, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, jo vetëm në nivel dypalësh, por edhe nëpërmjet përfaqësimit të këtyre institucioneve në Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në takimet e GKSF, pjesëmarrësit diskutojnë vlerësimet mbi stabilitetin financiar dhe rreziqet përkatëse, si edhe shkëmbejnë informacion mbi çështje të politikave respektive që kanë ndikim mbi stabilitetin financiar. Ky forum shërben si një platformë e përshtashme për të diskutuar, për të vlerësuar ndikimin dhe për të koordinuar qëndrimet, lidhur me veprimet ose çështje të tjera të politikës makroprudenciale. Në mënyrë që të përshtasë fushën e zbatimit të politikës makroprudenciale në vijim të vlerësimeve për shtrirjen e rrezikut sistemik, Banka e Shqipërisë do të nxisë realizimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me agjenci të tjera rregullatore, përmes të cilave kërkohet kontributi i tyre në marrjen e masave për zbutjen e rrezikut në segmentet e sistemit financiar që ato mbikëqyrin drejtpërsëdrejti.
Në nivel ndërkombëtar, origjina e bankave, pesha e tyre në grupin bankar si edhe pesha e tyre në sektorin bankar në Shqipëri, përcakton edhe nevojën e bashkëpunimit ndërkufitar. Në sektorin bankar shqiptar, aktualisht bankat me origjinë nga Bashkimi Evropian zënë më shumë se gjysmën e totalit të aktiveve të sektorit bankar dhe kontribuojnë me një vlerë të ngjashme në ndërmjetësimin financiar. Në përputhje me nevojat, si edhe me hapësirat që ekzistojnë në përcaktimet ligjore në juridiksionet përkatëse, Banka e Shqipërisë do të kërkojë bashkëpunimin me autoritetet përkatese makroprudenciale evropiane. Këto hapësira pritet të zgjerohen dhe të rrisin detyrimet e palëve, përgjate përparimit të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimet e interesit të dyanshëm dhe përcaktimet ligjore, do të orientojnë edhe mundësinë e bashkëpunimit me autoritete të tjera të huaja në kuadër të zbatimit të politikës makroprudenciale.