BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2009

Data e publikimit: 10.06.2009

 

Bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e parë të vitit 2009 rezultoi me një pakësim mjetesh valutore prej 131 milionë euro. Tremujori i parë i vitit u mbyll me një deficit të llogarisë korente prej 334 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2008, deficiti korent regjistroi një rritje prej rreth 67 milionë eurosh, nga 267 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave u tkurr me 11 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 dhe u vlerësua në 516 milionë euro nga 527 milionë euro në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 247 milionë euro duke financuar rreth 74% të deficitit korent.

I. Llogaria korente

Transaksionet korente gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 regjistruan rreth 1,930 milionë euro, duke qenë 7% më të ulëta se një vit më parë. Llogaria korente regjistroi një deficit prej 334 milionë eurosh, krahasuar me 267 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Thellimi i deficitit pasqyron rënien e suficitit të transfertave korente (nga 243 milionë euro në 213 milionë euro), një ndryshim të kahut të bilancit në kategorinë të ardhura nga suficit (20 milionë euro) në deficit (4 milionë euro) dhe thellimin e deficitit në shërbime (nga 3 milionë euro në 27 milionë euro). Ndërkohë, deficiti në mallra u tkurr në 516 nga 527 milionë euro. Rreth 61% e shpenzimeve korente kanë shkuar për financimin e importeve të mallrave, ndërkohë që hyrjet valutore janë siguruar nga eksportet e shërbimeve dhe të mallrave (60%) dhe nga transfertat korente të njëanshme (32%).