BANKA E SHQIPËRISË
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 prill 2018
Data e publikimit: 04.04.2018
Në mbledhjen e tij të datës 4 prill 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2017
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".
Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregun financiar, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë ishte më i kufizuar, ku evidentohet përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë në të gjithë elementet përbërëse. Ekspozimi ndaj rreziqeve të tjera është në nivele të administrueshme, por ka nevojë të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme në vijimësi. Si rezultat, mundësitë e sektorit bankar për të zgjeruar më tej ndërmjetësimin financiar dhe përmirësuar treguesit e eficiencës së veprimtarisë, janë përmirësuar. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit të mirë dhe përfitueshmërisë, mbetet e plotë. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm.
Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.
- Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”
Këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane të kësaj fushe.
Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij.
- Miratimin e rregullores “Mbi planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”
Rregullorja përcakton përmbajtjen e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, procesin e vlerësimit të aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë, si dhe identifikon kategoritë kryesore të informacionit të nevojshëm për hartimin e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga autoriteti vendimmarrës.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.