BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
€1 milion nga Bashkimi Evropian për të afruar Bankën e Shqipërisë me Bankat Kombëtarë të Vendeve Anëtare të BE-së
Data e publikimit: 23.03.2011
U prezantua sot projekti i binjakëzimit mes Bankës së Shqipërisë, dhe bankave kombëtare të Italisë dhe Francës, i financuar nga Bashkimi Evropian me 1 milion. Projekti do të përmirësojë praktikat e punës së Bankës së Shqipërisë drejt praktikave të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Projekti do të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy nga vendet themeluese të BE-së në dobi të sistemit bankar shqiptar, dhe do të trajnojë ekspertët e Bankës së Shqipërisë duke ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BE-në.
Binjakëzimi mes Bankës së Shqipërisë, Banca dItalia dhe Banque de France do të mundësojë hartimin dhe zbatimin e një plani për rritjen e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në çështje si Mbikëqyrja dhe Stabiliteti Financiar, Koordinimi i Procesit të Integrimit, Edukimi Financiar, Sistemet e Pagesave, Statistikat, Tregu mes Bankave. Fuqizimi i funksioneve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë është thelbësor për një funksionim më të mirë të sistemit bankar, një sistem të cilit bizneset mund ti besojnë. Kriza e fundit ekonomike dhe financiare e ka vënë edhe më shumë theksin te roli i bankave qendrore për stabilitet ekonomik.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi vuri në dukje rëndësinë e praktikave të harmonizuara në kontekstin e globalizimit. Ai theksoi se një investim i tillë nga BE-ja është një tregues tjetër i seriozitetit më të cilin e kemi marrë të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jam i lumtur që banka qendrore e Shqipërisë do të ndihmohet nga bankat qendrore të Italisë dhe Francës për tu përgatitur për integrim ekonomik me BE-në, pasi ky është pikërisht një hap i tillë, një hap drejt integrimit ekonomik me vendet anëtare të BE-së.
Projekti prej 1 milion do të vazhdojë deri në maj 2012 dhe do të zbatohet nga bankat qendrore të Italisë dhe Francës.