BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja Minxhozi, në samitin me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushtet e rritjes së ulët ekonomike të Eurozonës”, Becic, Mal i Zi

Data e publikimit: 18.06.2024

 

Në datat 14-15 qershor 2024, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, ndoqi punimet e samitit vjetor të vendeve të rajonit, të mbajtur në Becic, Mal i Zi, ku merrnin pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Serbisë, si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga këto vende.

DSC 4476 498x332

Samiti i këtij viti, me temë " Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushtet e rritjes së ulët ekonomike të Eurozonës", trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit. Ai ishte i organizuar në katër panele kryesore, me temat: reforma dhe modernizimi i administratës tatimore – qëllimet, arritja dhe sfidat; vlerësimi i menaxhimit të investimeve publike; ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe sistemit bankar në kohë pasigurie; politika fiskale si parakusht për rritjen e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ekonomik në kushtet e rritjes së ulët në Eurozonë.

Paneli i guvernatorëve – pjesë e të cilit ishte edhe Zëvendësguvernatorja Minxhozi - trajtoi temën “Ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe sistemit bankar në kohë pasigurie”.

DSC 4468 498x332

Në krye të fjalës së saj, zj. Minxhozi vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, si një mundësi për të ndarë pikëpamje e përvoja mes bankave qendrore të vendeve të rajonit, si dhe për të shkëmbyer mendime mbi zgjidhjen e problematikave të momentit.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi u shpreh se si çdo shtet, edhe Shqipëria u prek nga rritja e inflacionit, i brendshëm apo i importuar. Megjithatë, vendi ynë ka pasur një inflacion më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Ky tregues shënoi një rënie graduale, por të vazhdueshme gjatë vitit 2023. Ai zbriti nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024, i ndikuar nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare. Ky trend u përqendrua fillimisht tek çmimet e ushqimeve dhe të naftës, për t’u zgjerua më tej edhe te komponentët e tjerë të shportës.

DSC 4435 498x332

Pavarësisht suksesit relativ në uljen e inflacionit, lufta e bankave qendrore me të nuk duhet të konsiderohet e përfunduar. Që nga fillimi i vitit 2024, këto institucione po shqyrtojnë me kujdes momentin e duhur për të filluar lehtësimin e kushteve monetare; Banka Qendrore Evropiane ka bërë lëvizjen e parë, duke ulur normën bazë të interesit.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se në këtë situatë duhen mbajtur parasysh disa faktorë:

Së pari, rajoni ynë është i integruar në ekonominë globale në përgjithësi dhe në veçanti me ekonominë e Eurozonës, pasi importet kanë një peshë të lartë në shportën e mallrave të konsumit. Për këtë arsye, rreziqet globale ndaj inflacionit janë mjaft të rëndësishme për stabilitetin e çmimeve në ekonomitë tona.

DSC 4561 498x332

Së dyti, faktorë si: tregjet e shtrënguara të punës, për shkak të ndryshimeve në demografinë e ekonomive të industrializuara dhe ato në zhvillim; rritja e tensioneve gjeopolitike, veçanërisht në rrugët tregtare ndërkombëtare; dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit të vazhdueshëm në kufirin lindor të Bashkimit Evropian; janë të gjitha rreziqe jo vetëm për inflacionin, por edhe për rritjen dhe stabilitetin financiar.

Në një këndvështrim afatgjatë, një grup sfidash me të cilat do të përballet politika monetare lidhet me çështje të tilla si ndryshimet klimatike, inovacionet e teknologjisë financiare dhe ndryshimet demografike.

Në përfundim të fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se mbetet e rëndësishme që politikat monetare të bashkërendohen me politika të kujdesshme fiskale dhe të mbështeten nga reforma strukturore. Në veçanti, prioritetet e reformave strukturore duhet të përfshijnë krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, si dhe investimet në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturë.