BANKA E SHQIPËRISË

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj përshëndet ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Epoka”

Data e publikimit: 28.06.2024

 

Në datën 27 qershor 2024, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Epoka” për vitin akademik 2023-2024.

Gjatë kësaj ceremonie, Zëvendësguvernatorja mbajti një fjalë për të pranishmit, ku fillimisht i përgëzoi studentët për diplomimin dhe iu uroi atyre suksese në rrugën e karrierës.

DSC 5504 498x332

Zëvendësguvernatorja u shpreh se pa entuziazmin e të rinjve që i bën vështirësitë të duken më të kapërcyeshme, pa talentin e tyre që e sfidon pedagogun drejt niveleve më të larta të shkencës moderne, ne nuk do të mund ta projektonim Evropën si destinacion të ekonomistëve, financierëve dhe menaxherëve të rinj. Ajo shtoi se binomi “staf akademik cilësor-student i angazhuar për dije” është baza e së ardhmes së një vendi. Ky binom i shpërthen kufijtë e një shkolle lokale drejt dimensioneve ndërkombëtare dhe kjo ka ndodhur e po ndodh në një perimetër që zgjerohet çdo ditë me institucione si Universiteti “Epoka”.

DSC 5639 498x332

Zëvendësguvernatorja theksoi se Ekonomia e Dijes ka sjellë një ndryshim të mrekullueshëm në ndarjen botërore të punës, duke krijuar struktura në të gjitha ekonomitë e botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit e distancës, si dhe duke shkëmbyer burime njerëzore, procese, ide e teknologji. Ajo shtoi se e vetmja mënyrë për të përfituar prej saj është përfshirja në zinxhirin global të prodhimit dhe aftësimi për të menaxhuar informacion kompleks.

DSC 5665 498x332

Falë kësaj përfshirjeje, sot, gjithnjë e më shumë po qartësohet trendi i rialokimit të punëve me kualifikim të lartë drejt ekonomive në zhvillim. Përfshirja sjell përmirësim dijesh dhe më pas integrim. Globalizimi ka rezultuar të jetë një mekanizëm që e mundëson ekonominë e dijes të kthehet në një ekonomi që krijon, shfrytëzon, por edhe shpërndan dijen për të përmirësuar rritjen dhe zhvillimin mbarëbotëror. Kjo bën që konkurrueshmëria e një kombi apo kompanie të mos varet vetëm nga asetet fizike, por sidomos nga aftësia për të kapitalizuar dijen.

DSC 5434 498x332

“Ju jeni një brez i bekuar, sepse po hyni në rrugën e karrierës njëkoherazi me Shqipërinë që po hyn në bulevardin e Evropës së Bashkuar dhe ju, me kontributin tuaj, do të jeni pjesë e kësaj rruge. Ne presim që ju të na sfidoni me aspiratat tuaja, me opinionet tuaja, duke detyruar përshpejtimin e hapave tona drejt standardeve perëndimore.” – u shpreh Zëvendësguvernatorja Ahmetaj.

Në përfundim, Zëvendësguvernatorja shtoi se studentët tashmë janë pajisur me një çelës për të hapur portën e një tjetër rruge, atë të karrierës profesionale në një Shqipëri evropiane. “Të gjithë urojmë që ky çelës të kthehet i artë gjatë kësaj rruge dhe një ditë ne dhe ju do të ndjehemi krenarë për atë çka do të kemi bërë së bashku në këto vite. “- tha zj. Ahmetaj.