BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 8 maj 2024
Data e publikimit: 08.05.2024
Në mbledhjen e datës 8 maj 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.25%, si dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.25% dhe 4.25%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi:
- disa ndryshime në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”.
Këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e miratimit të ligjit 100/2023 ''Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike'', ku parashikohet detyrimi i Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar me akt nënligjor, kërkesat për krahasueshmërinë dhe transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, për shërbimin e transferimit të llogarisë së pagesave me shërbime bazike, si dhe për përcaktimin e metodologjisë së përllogaritjes së tarifës së arsyeshme për shërbimet e ofruara në llogarinë e pagesave me shërbime bazike.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.