BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 maj 2020
Data e publikimit: 06.05.2020
Në mbledhjen e datës 6 maj 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Miratimin e shtypjes së kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me prerje 500 lekë dhe 2000 lekë
Si emetuesja e vetme e monedhës kombëtare, Banka e Shqipërisë kujdeset vazhdimisht që struktura dhe cilësia e parasë në qarkullim të plotësojë në mënyrë dinamike nevojat e tregut, duke u përshtatur me evoluimin e fuqisë blerëse dhe teknologjisë së qarkullimit. Në këtë kuadër, shtypja e këtyre kartëmonedhave vjen si rezultat i plotësimit të kërkesave të ekonomisë për para në vlerë dhe strukturë si dhe të sigurimit të një furnizimi të rregullt me këto kartëmonedha për një periudhë disa vjeçare.
Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.