BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 maj 2017
Data e publikimit: 03.05.2017
Në mbledhjen e tij të datës 3 maj 2017, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:
-
Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare"
Rishikimi i kësaj rregulloreje synon plotësimin dhe përmirësimin në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë mbi transparencën e produkteve dhe shërbimeve bankare e financiare.
Ndryshimet e rregullores morën shtysë kryesisht nga problematikat e shfaqura në sistemin bankar lidhur me transparencën dhe kanë si qëllim rritjen e kërkesave të autoritetit mbikëqyrës ndaj bankave për mbrojtjen e konsumatorit. Këto ndryshime konsiderojnë edhe kërkesat e direktivave evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve, si përdorues të produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga bankat dhe subjektet financiare jobanka.
-
Miratimin e udhëzimit "Mbi procesin e vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit"
Udhëzimi parashikon kushtet dhe kërkesat për krijimin dhe zhvillimin e duhur dhe të përshtatshëm të një procesi të brendshëm të vlerësimit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga ana e bankave dhe mbikëqyrjen e këtij vlerësimi nga Banka e Shqipërisë, si pjesë integrale me rëndësi e gjithë procesit mbikëqyrës.
Ky udhëzim synon plotësimin në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë për bankat, në përputhje me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve të kreditit, si dhe me kërkesat e Shtyllës së Dytë të Akordit të Kapitalit të Komitetit të Bazelit, që trajton procesin e rishikimit mbikëqyrës.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.