BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 24 janar 2024

Data e publikimit: 24.01.2024

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 janar 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e programit të punës të Këshillit Mbikëqyrës

Këshilli Mbikëqyrës analizoi veprimtarinë e tij për vitin 2023 dhe miratoi programin e punës për vitin 2024, së bashku me kalendarin e mbledhjeve që do të zhvillojë gjatë këtij viti.

 DSC2919-498

Ky kalendar do të publikohet në faqen tonë të internetit www.bankofalbania.org.

  • Miratimin e “Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin dhe përfshirjen financiare, 2024-2026”

Kjo strategji synon të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare. Dokumenti prezanton objektivat kryesorë dhe ata strategjikë ku do të fokusohet veprimtaria, ofron një panoramë të kuadrit për veprim, si dhe paraqet planin e veprimit 2024-2026, për zbatimin e kësaj strategjie.

 DSC2909-498

  • Miratimin e “Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për krijimin e monedhave pa kurs ligjor, përkujtimore dhe për qëllime numizmatike për 2024-2029”

Strategjia e Bankës së Shqipërisë për krijimin e monedhave pa kurs ligjor, përkujtimore dhe për qëllime numizmatike për 2024-2029 përcakton misionin, vizionin,  qëllimet dhe udhëzimet për zbatimin e tyre për krijimin e monedhave pa kurs ligjor, përkujtimore për qëllime numizmatike në Bankën e Shqipërisë për vitet 2024-2029.

  • Miratimin e rishtypjes së monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor me prerje 50 dhe 20 Lekë

Ky vendim parashikon rishtypjen e monedhave metalike 50 dhe 20 Lekë, me kurs ligjor, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare.

  • Miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit për Sistemet e Pagesave”

Kjo rregullore synon të përcaktojë qëllimin e ngritjes së Komitetit për Sistemet e Pagesave brenda Bankës së Shqipërisë, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të tij. Propozimi për ngritjen e një Komiteti të tillë pasqyron momentin në të cilin ndodhet institucioni në prizmin e zhvillimeve në fushën e pagesave. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të reformuar sistemet dhe shërbimet e pagesave si në aspektin rregullator, ashtu edhe në aspektin infrastrukturor. Prej disa vitesh, ajo ka fokusuar vëmendjen jo vetëm rritjen e sigurisë dhe efikasitetin e shërbimeve të pagesave, por dhe mbështetjen e zhvillimeve infrastrukturore e rregullative të cilat do të mbështesin këto zhvillime. Komiteti, i cili ka natyrë këshillimore,  do të synojë të mbështesë vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në kuadër të këtyre zhvillimeve me qëllim përmbushjen me efikasitet të këtyre prioriteteve të Bankës së Shqipërisë. 

  • Miratimin e disa ndryshimeve në kontratën tip për riblerjen e titujve

Ndryshimet e propozuara në kontratën TIP që Banka e Shqipërisë ka me bankat tregtare, synojnë të rregullojnë çështje që lidhen me trajtimin e titujve të përdorura si kolateral, në raste të paaftësisë paguese, pas afatit të përcaktuar tashmë në kontratë, dhe në përputhje me ligjin 9974/2008 “Për kontratën e riblerjes së titujve”.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.