BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimet e politikës monetare
Data e publikimit: 04.07.2018
Sot, më 4 korrik 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.00%
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 0.10%
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 1.90%
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të nevojshme vazhdimin e programit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, si instrument për frenimin e presioneve mbiçmuese të kursit, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve.