BANKA E SHQIPËRISË
SHQIPËRIA, Qëndrimi i Bankës qendrore
Data e publikimit: 09.08.2004
Ekonomia shqiptare ka njohur një impuls rimëkëmbjeje të rritjes ekonomike gjatë vitit 2003. Zhvillime pozitive janë regjistruar në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik, të rritjes ekonomike si dhe të një zhvillimi të shëndoshë të sistemit financiar në vend. Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja me 6 % e prodhimit të brendshëm bruto në terma reale është konfirmuar nga të gjithë sektorët e ekonomisë, por kryesisht është shfaqur në sektorë të tillë si ndërtimi, transporti dhe shërbimet, që janë sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare.
Viti 2003 është karakterizuar nga një nivel i ulët inflacioni, brenda intervalit objektiv prej 2-4 për qind. Niveli i inflacionit në muajin dhjetor ka qenë 3.3 për qind, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Përveç faktorëve të ndryshëm, ky nivel i ulët ka ardhur nga një administrim i kujdesshëm i kërkesës së brendshme si rezultat i politikave ekonomike bazë, asaj fiskale dhe asaj monetare.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë një politikë e zbutur gjatë vitit 2003. Një tendencë e tillë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2004, dhe kohët e fundit është reflektuar edhe me uljen e normës bazë të interesit në ekonomi. Duke filluar nga prilli i vitit 2003, norma e interesit që zbatohet për Marrëveshjet e Riblerjes (Repo) është ulur me 2.5 për qind. Norma e Repo -s prej 6 për qind, që u vendos me datë 12 maj 2004, është më e ulta që mund të ketë qenë ndonjëherë në ekonominë shqiptare. Politika monetare synon të reduktojë koston e huamarrjes në ekonomi si dhe të ruajë stabilitetin financiar dhe atë të çmimeve.
Në fund të vitit 2003, rezerva valutore të Bankës së Shqipërisë arriti shumën prej 1.03 miliard USD, duke mbuluar një periudhë importesh prej 4.7 muaj. Banka e Shqipërisë vazhdon të mbajë pikëpamjen e saj për një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Kjo është reflektuar në ato pak raste kur Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor gjatë gjysmës së parë të vitit 2003, ku blerja e valutës pothuajse është katërfishuar në krahasim me atë të gjysmës së dytë të vitit.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi që monedha e vendit të mbiçmohej kundrejt euros dhe dollarit amerikan, me një tendencë të fortë mbiçmimi në gjysmën e dytë të vitit. Mbiçmimi i monedhës vendase ishte një nga faktorët që solli uljen e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë me 2.0 për qind gjatë vitit 2003.
Treguesit monetarë janë realizuar në përgjithësi sipas parashikimeve të programit monetar të Bankës. Norma vjetore e rritjes së depozitave në lek ka qenë 19.1 për qind në fund të vitit, e cila është shumë më e lartë se normat vjetore të viteve të mëparshëm.
Teprica e kredisë është rritur me 11.9 miliardë lekë ose 30.9 për qind. Kredia e re është rritur 50 për qind, ndërkohë që 76 për qind është në valutë. Raporti midis kredisë dhe prodhimit të brendshëm bruto (PBB) është ende i ulët, në masën prej afro 7 për qind.
Gjatë vitit 2003 dhe në fillim të vitit 2004, sistemi bankar ka patur zhvillime të rëndësishme. Hyrja në treg e dy bankave të reja me kapital shqiptar u shoqërua menjëherë me privatizimin e suksesshëm të Bankës së Kursimeve nga Raiffeisen Zentralbank (RZB), Austri. Aktualisht, sistemi bankar shqiptar përbëhet gjithsej nga 16 banka.
Banka e Shqipërisë ka bërë një hap të madh në drejtim të procesit të reformave të sistemit bankar drejt standarteve ndërkombëtare, me synimin për të zhvilluar dhe përsosur infrastrukturën bankare të vendit. Sistemi RTGS, që u përurua në fillim të marsit 2004, mund të konsiderohet si shtylla e krejt infrastrukturës së sistemit bankar.
Banka e Shqipërisë ka treguar tashmë ambicien e saj për t'u afruar me standardet e Bankës Qendrore Europiane. Prandaj, ndryshimet dhe amendamentet e rregulloreve të saj po synojnë arritjen e këtij objektivi.