BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 30.07.2014

Data e publikimit: 29.08.2014

 

Pyetje: A ka rënë sistemi i kontrollit të brendshëm të Bankës dhe cila është përgjegjësia juaj personale në këtë ngjarje?

Përgjigje- Siç e kemi theksuar gjatë gjithë këtyre ditëve, sistemi i kontrollit nuk ka rënë në asnjë mënyrë. Natyrisht që kjo është një ngjarje e rëndë, e cila na ngarkon me përgjegjësi të gjithëve. Ne po nxjerrim përgjegjësitë tona dhe gjithçka po shqyrtohet në mënyrë tepër serioze. E rëndësishme është që nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve, përkundrazi i gjithë kuadri legjistativ dhe rregullativ është i plotë dhe siguron administrim sipas të gjithë ligjeve të Bankës së Shqipërisë, të sektorit bankar dhe financiar. Në ngjarjen e ndodhur, siç e theksova më sipër, ka çaluar elementi njeri, i cili do dënohet sipas ligjit në fuqi.

Ne po vazhdojmë aktivitetin normal të Bankës së Shqipërisë. Eshtë një periudhë e ngjeshur sepse krahas kësaj ngjarjeje, ne duhet të vazhdojmë aktivitetin operacional. Kjo do të thotë se ndryshimet dhe rregullimet që duhet të bëhen do të bëhen, dhe ne i kemi të gjithë mundësitë për këtë gjë, siç u shpreh dhe sot në Komision. Banka e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë dhe garancitë për të siguruar një mbarëvajtje normale të punës së saj. Ajo ka një kredibilitet të plotë brenda dhe jashtë vendit, që garanton për zhvillimin normal të aktivitetit të saj.

Kjo ngjarje e rëndë e padëshiruar është një rrufe në qiell të hapur, në një kohë kur Banka e Shqipërisë gëzon të gjitha atributet e një institucioni solid, e aftë ti bëjë ballë krizës globale disavjeçare, duke ruajtur jo vetëm stabilitetin makroekonomik por edhe stabilitetin financiar të vendit. Sektorin bankar dhe financiar i vendit nuk pësoi asnjë plasaritje. Për më tepër, Banka stimuloi ekonominë me politikat e saj monetare dhe makroprudenciale. Ajo ndërmori një sërë iniciativash ligjore, duke u siguruar që: kursi të jetë i qëndrueshëm, inflacioni të mbetet nën kontroll, vlera e monedhës të jetë e qëndrueshme, pa cënuar stabilitetin financiar të vendit. Në ndryshim nga shumë ekonomi të mëdha të botës, përshirë këtu dhe rajonin, asnjë qindarkë publike nuk ka shkuar në ndihmë të sektorit privat bankar për ta shpëtuar atë nga kriza. Përkundrazi, ky sektor ka qenë kontribues, natyrisht në limitet e tij, por ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe sot në ndihmë të plotë të ekonomisë shqiptare, për zgjidhjen e problemeve të trashëguara dhe njëkohësisht për t’i dhënë zhvillim ekonomisë shqiptare.

Ky reputacion është fituar ndër vite nga Banka e Shqipërisë, që në themelin e saj si një institucion solid ka një staf mjaft të përgatitur, ku natyrisht nuk kanë munguar dhe elementë të tillë keqbërës, të cilët mund të jenë prezentë kudo. Por, në asnjë mënyrë, këta elementë keqbërës që kanë dalë dhe do të dalin në vazhdim përpara ligjit, nuk mund të cenojnë emrin, reputacionin, soliditetin dhe aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatorit, Administratorëve dhe strukturave të saj. Kështu, unë ju garantoj që jemi duke parë këtë ngjarje me seriozitetin më të madh, duke nxjerrë përgjegjësitë morale, administrative e penale. Banka e Shqipërisë ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm jo vetëm për zbardhjen e çështjes në fjalë, por edhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen dhe për zhdukjen e plotë të këtij rreziku operacional.

Pyetje- Aktualisht interesat mesatare të kredive janë në nivelet më të ulëta historike; transmetimi i politikës monetare mund të mos jetë i plotë, por të paktën për lekun, interesat mesatare të kredive janë më të ulëta se kurrë më parë. Çka do të thotë se financimi i investimeve të reja të sektorit privat është në koston më të ulët historike. Besoni se në këtë moment do të bëhet më shumë punë, ndoshta dhe më e koordinuar, në kuadër të politikave të nxitjes të sektorit privat, për të përfituar nga ky moment kur interesat në tregje janë të ulëta?

Përgjigje- Siç e theksova në raportin 6-mujor, situata është mjaft komplekse, dhe ka një sërë arsyesh që gjendja paraqitet e tillë në Evropë dhe në rajon. Kjo pasi ekzistojnë disa sfida evropiane të cilat pritet të japin rezultatet e tyre gjatë vitit. Në të njëjtën kohë, ajo që vërehet në 3-mujorin e dytë është stimuli i dhënë, miksimi i mirë i politikës fiskale me atë monetare. Gjithashtu, marrëveshja me FMN-në dhe BB-në ka krijuar një klimë më të mirë. Mund të themi që janë të gjitha mundësitë për një zhvillim më të mirë ekonomik në të ardhmen, për t’i angazhuar të gjithë këta stimuj së bashku dhe për t’i bërë më efektivë.

Mendoj që sektori bankar po lëviz në drejtim pozitiv. Por, natyrisht nuk duhet të përqendrohemi vetëm te sektorin bankar duke lënë mënjanë pjesën tjetër të ekonomisë, sektorin privat. Pastrimi i bilanceve të tyre dhe të bankave do t’i bëjë ato më të afta për të tërhequr fonde monetare dhe për t’i përdorur ato në ekonomi. Siç e theksova, mbetem i mendimit se 6-mujori i dytë do të jetë më pozitiv.

Në opinionin tonë, vendi ynë i ka të gjithë stimujt e nevojshëm. Me koordinimin e programit të FMN-së dhe BB-së, ekzistojnë të gjitha mundësitë për një rritje të qëndrueshme më të mirë ekonomike për periudhat që do të vijnë, e përkrahur kjo , siç e thashë, edhe nga përfundimi i disa sfidave që Banka Qendrore Evropiane dhe, në përgjithësi, Evropa ka në të ardhmën e arfërt.

Natyrisht që Banka e Shqipërisë është në ballë të situatës dhe jo vetëm në ruajtjen e balancave makroekonomike. Kjo është shumë e rëndësishme pasi nuk mund të ketë asnjë stimul tjetër në qoftë se nuk mbajmë dot balancat në ekonomi dhe në stabilitetin financiar të vendit. Kështu që mendoj se sistemi bankar shqiptar i ka të gjitha mundësitë për të qenë më aktiv në të ardhmen.