BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2021-2022

Data e publikimit: 05.04.2022

 

Në datën 5 prill 2022, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2021-2022.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u shpreh se Raporti i Tranzicionit të BERZH-it mbetet një moment i rëndësishëm diskutimi dhe reflektimi mbi sfidat që kanë përpara ekonomitë e rajonit, në drejtim të konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian dhe të rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të mirëqenies së tyre.

 DSC5581 copy 498

Në vijim Guvernatori theksoi se mbajtja e këtij takimi me prani fizike përcjell një mesazh të rëndësishëm dhe tregon se ekonomia botërore po le pas ditët më të këqija dhe pasojat më të rënda të pandemisë me të cilën ajo është përballur gjatë dy viteve të fundit.

“Megjithatë, në horizontin tonë si politikëbërës është shfaqur një sfidë e re, sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksionet e vendosura, të cilat kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të naftës, të produkteve energjetike dhe të lëndëve të para, në tregjet ndërkombëtare. Informacioni i disponuar sugjeron se këto çmime do të vijojnë të mbeten të larta, të paktën dhe gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022” tha Guvernatori.

 DSC5746 copy 498

Në këtë kontekst, ai shtoi se rritja gjatë muajit të kaluar e normës bazë të interesit sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Rikalibrimi i qëndrimit të politikës monetare synon të minimizojë pasojat që goditja e çmimeve do të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

 DSC5653 copy 498

Duke u ndalur në mesazhet kryesore të Raportit të Tranzicionit, Guvernatori theksoi se ky raport evidenton progres të mëtejshëm, ndonëse gradual, të reformave strukturore në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Ky është një zhvillim inkurajues, për vetë faktin se progresi ka ndodhur gjatë dy viteve në të cilat vëmendja dhe energjitë kryesore kanë qenë të përqendruara në tejkalimin e pasojave të pandemisë. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se vendet e rajonit kanë bërë progres të qenësishëm në zhvillimin e tregut financiar, me reforma specifike që kanë përmirësuar infrastrukturën e tregut, kornizën ligjore e rregullatore, diversifikimin e instrumenteve financiare, si dhe thellësinë e tregut.

 DSC5838 copy 498

Raporti gjithashtu vëren se përballja me pandeminë përshpejtoi trendin e nisur të digjitalizimit të shumë aspekteve të jetës dhe të punës. Guvernatori u shpreh se përfitimet nga digjitalizimi, në terma të rritjes së eficiencës e të produktivitetit, por edhe të rritjes së aksesit në financë, janë të mirëdokumentuara.

Lidhur me këtë, ai shtoi se raporti vë në dukje se ky proces ishte edhe më i shpejtë në rajonin tonë, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, në ruajtjen e vendeve të punës përgjatë pandemisë dhe në shtimin e tyre pas hapjes së ekonomive.

 DSC5992 copy 498

Në mbyllje, Guvernatori Sejko theksoi se, sipas sugjerimeve të raportit, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe inkurajuar që herët aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit në sistemin financiar. Në këtë drejtim, është punuar për nxitjen e përdorimit më të madh të teknologjisë në sistemin e pagesave, për përmirësimin dhe forcimin e kuadrit rregullator për institucionet e pagesave elektronike, si dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe huamarrësit.

Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë, si dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

Më pas, përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Raportin e Tranzicionit të BERZH-it për periudhën 2021-2022 dhe vlerësimet për Ballkanin Perëndimor, si dhe iu përgjigjën interesit të të pranishmëve dhe gazetarëve.