BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me z. Emanuel Salinas, përfaqësues i Zyrës së BB-së në Shqipëri

Data e publikimit: 18.09.2024

 

Në datën 18 shtator 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim pune me z. Emanuel Salinas, përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri.

Në krye të takimit, Guvernatori Sejko i përcolli z. Salinas, një falënderim të veçantë për asistencën teknike të ofruar ndër vite nga Banka Botërore për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe edukimit financiar.

DSC 1531 498x332

Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike, ecurinë e kreditimit dhe depozitave. Ai theksoi se gjysma e parë e vitit 2024 është karakterizuar nga një rritje e mirë ekonomike, me zhvillime pozitive në tregun e punës në drejtim të papunësisë dhe nivelit të pagave, përmirësim i treguesve fiskalë dhe zbutje e ndjeshme e presioneve inflacioniste, të cilat u pasuan nga vendimi i BSH-së për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 3% në muajin korrik.

DSC 1344 498x332

Gjithashtu Guvernatori diskutoi lidhur me një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë si modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Bankës së Italisë. Në këtë kuadër, Banka Botërore mund të luajë një rol mbështetës për këtë projekt me rëndësi strategjike për Bankën e Shqipërisë dhe zhvillimin e pagesave në vend.

DSC 1525 498x332

Një tjetër prioritet i Bankës së Shqipërisë këtë periudhë, në të cilën angazhimi i Bankës Botërore mbetet i një rëndësie të veçantë, ka qenë përmirësimi i kuadrit rregullativ për sistemin financiar dhe sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave më të mira të konsumatorëve përballë zhvillimeve të vazhdueshme të këtij tregu.

DSC 1416 498x332

Z. Salinas përgëzoi Guvernatorin Sejko për angazhimin e shfaqur gjatë zbatimit me sukses të projekteve të përbashkëta dhe u shpreh se Banka Botërore do të vijojë të angazhohet që programet e  asistencës teknike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohen edhe më tej.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.