BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me delegacionin e Bankës Botërore, 25 mars 2022

Data e publikimit: 25.03.2022

 

Në datën 25 mars 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga z. Mario Guadamillas Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin. Takimi u zhvillua në kuadër të Misionit të Sektorit Financiar, me një fokus të veçantë në zhvillimet në këtë sektor dhe aksesin në financë.

 DSC4351 498

Takimi nisi me një vlerësim të situatës makroekonomike dhe të sektorit financiar në Shqipëri, nën dritën e zhvillimeve botërore dhe konfliktit Ukrainë-Rusi. Guvernatori Sejko vlerësoi se tensioni gjeopolitik do të japë goditje mbi ekonominë shqiptare, megjithatë ajo do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim.

 DSC4317 498

Më tej, Guvernatori shtoi se inflacioni ka shfaqur tendencë rritëse gjatë tremujorit të parë të vitit dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ai do të qëndrojë mbi objektiv gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim. Në këtë kuadër, Banka vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi, duke rritur normën bazë të interesit në nivelin 1.0%.

 DSC4388 498

Nga ana tjetër, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë financiarë, bilance likuide e të shëndetshme, trend rritës të kreditimit dhe rënie të kredive me probleme.

 DSC4499 498

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Në veçanti, z. Guadamillas përgëzoi Guvernatorin Sejko dhe institucionin që ai drejton për angazhimin e shprehur gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme.

 DSC4522 498

Nga ana e tij, Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për asistencën teknike ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe përfshirjes financiare. Falë kësaj asistence, Banka e Shqipërisë ka ngritur një kuadër të plotë e funksional për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, çka e vendos në pararojë të vendeve të rajonit. Sa i përket përfshirjes financiare, mbështetja ka qenë e përqendruar kryesisht në shërbimet e pagesave dhe plotësimin e kuadrit rregullator përkatës, si dhe në hartimin e strategjisë së edukimit financiar.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi vazhdimësinë e projekteve të ndërmarra dhe asistencës teknike të nevojshme për mbylljen me sukses të tyre.