BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi seminarin e nivelit të lartë “Evropa Juglindore: Parakushtet për Reforma”, organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit
Data e publikimit: 14.06.2012
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit , organizoi sot në datë 14 qershor 2012, seminarin e nivelit të lartë me temë: Evropa Juglindore: Parakushtet për Reforma.
Në këtë seminar ishim të pranishëm z. Ridvan Bode Ministër i Financave, z. Radoje ugiç, Guvernator i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Gani Gërguri Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, zj. Anita Angelovska-Beoska zv.Guvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së ë Maqedonisë, z. Turalay Kenç zv.Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, përfaqësues nga sistemi bankar, institucione shtetërore dhe organizma ndërkombëtarë në Shqipëri, si dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë. Ky seminar u organizua si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit, nënshkruar në shtator të vitit 2010.
Temat kryesore që u diskutuan gjatë seminarit u përqendruan mbi zhvillimet aktuale në ekonomitë e rajonit, sfidat me të cilat po përballen, si dhe reformat që duhet të ndërmerren. Diskutimet u ndalën në zhvillimet e fundit të cilat po karakterizojnë këto vende, veçanërisht në kontekst të zhvillimeve të fundit në Eurozonë. Folësit në këtë seminar i kushtuan rëndësi të madhe vazhdimësisë të reformave në ekonomi për tju përgjigjur ngadalësimit ekonomik në të gjithë rajonin. Në kushtet kur hapësirat për stimul fiskal sa vinë e ngushtohen dhe shqetësimet për tregjet financiare rriten, nevojitet thellimi i mëtejshëm i reformave te gjithanshme strukturore. Koordinimi më i mirë mes politikave ekonomike dhe financiare është bërë i domosdoshëm për të garantuar stabilitetin e mëtejshëm makroekonomik të rajonit. Një argument tjetër ishte dhe roli i ankorave të jashtme dhe të brendshme, si dhe mekanizmat kryesorë që do të bëjnë axhustimin, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, të vendeve tona drejt stabilitetit makroekonomik e stabilitetit financiar.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të kujdeset për stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar të vendit , të cilat si dy shtylla jetike për qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e ekonomisë kanë dhënë kontributin më të mirë për zhvillimin e ekonomisë. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në thithjen e investimeve të huaja dhe hyrjen e kapitaleve të reja në ekonomi, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit.