BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi përfundimin e vizitës së Misionit të FMN-së, korrik 2020

Data e publikimit: 02.07.2020

 

Një mision i FMN-së, i kryesuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit për Shqipërinë, zhvilloi një vizitë stafi online për Shqipërinë, në datat 25 qershor - 1 korrik 2020. Gjatë këtij misioni, u zhvilluan takime online me Guvernatorin Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë sipas çështjeve përkatëse.

DSC 7419 498

 

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet makroekonomike të Shqipërisë dhe pritshmërinë e tyre për periudhën 2020 - 2021, ndikimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Gjatë takimit përmbyllës të këtij misioni, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë tremujorit të dytë, e cila ka dhënë ndikim negativ në konsum, në investime dhe në eksportin e mallrave e shërbimeve, por sektori bankar vendas mbetet i shëndetshëm dhe tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta.

Në përgjigje të kësaj krize, Banka e Shqipërisë, prej fillimit të pandemisë, ka ndërmarrë një paketë të plotë masash për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar, për të ulur kostot e financimit dhe për t’u ardhur në ndihmë bizneseve dhe familjeve shqiptare kredimarrëse. Reagimi i shpejtë e i koordinuar i politikave makroekonomike të ndërmarra, ndihmon përmirësimin e perspektivës ekonomike të vendit dhe krijimin e premisave për një ringritje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

DSC 7388 498

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet e vështirë, si pasojë e efekteve nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Më tej, misioni theksoi se si rrjedhojë e varësisë së Shqipërisë nga turizmi dhe remitancat, ekonomia pritet të tkurret ndjeshëm në vitin 2020 dhe të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Gjatë deklaratës zyrtare, misioni vuri në dukje mbështetjen e dhënë në drejtim të qytetarëve dhe bizneseve të cenuara nga goditjet. Në vijim, misioni vlerësoi ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë, falë menaxhimit të mirë të politikave dhe falë kushteve financiare lehtësuese në botë.

Për sa i përket sistemit bankar, misioni vlerësoi se politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë mbetet e përshtatshme. Në deklaratë theksohet se pandemia e gjeti sistemin bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar, megjithatë forca e tij përballuese do të sprovohet në disa pika më të dobëta, si p.sh. stoku akoma i lartë i kredive me probleme. Megjithatë misioni u shpreh se vijimi i fleksibilitetit në kursin e këmbimit do të ndihmojë në amortizimin e goditjeve dhe në rivendosjen e bilancit të jashtëm. Gjithashtu misioni mbështeti iniciativën e sektorit bankar për ristrukturimin e matur të kredive në sektorët dhe bizneset e prekura nga goditjet.

Në përfundim, misioni i FMN-së falënderoi palën shqiptare për diskutimet e hapura dhe të frytshme si dhe i uroi suksese në kapërcimin e krizës.