BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi paketën e re mësimore “1,2,3… derrkuci Çufo mëson të kursejë”

Data e publikimit: 16.09.2013

 

Në çeljen e vitit shkollor 2013-2014, Banka e Shqipërisë ka prezantuar paketën mësimore “1, 2, 3… derrkuci Çufo mëson të kursejë”. 

Kjo paketë i dedikohet edukimit financiar të nxënësve që ndjekin klasën I, II dhe III, të shkollës 9-vjeçare. Ajo pritet të përdoret në orët e lira mësimore, në orët dedikuar projekteve shkollore apo si projekt ndërlëndor.

Teksti i paketës mësimore  “1, 2, 3… derrkuci Çufo mëson të kursejë”, është ideuar dhe hartuar në përputhje me praktikat më të mira didaktike për fëmijët e grupmoshës 7 deri në 9 vjeç. Tematikat e trajtuara në të janë përzgjedhur në mënyrë që të përputhen me eksperiencën e përditshme të nxënësve me paranë dhe financat personale.

Materialet e përfshira në paketë janë përgatitur nga Banka e Shqipërisë me bashkëpunimin e autorit të mirënjohur të librave për fëmijë, Gaqo Bushaka, i cili ka vendosur në dispozicion të bankës personazhet e veprës së tij “Çufo dhe bubi Kaçurrel”.

cufo per web 2 copy 2 5821 0

  Paketa mësimore përbëhet nga libri me përrallëza “1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë”, nga fletët e punës si dhe nga udhëzuesi për mësuesit.

  • Libri “1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë”, përbëhet nga 7 përrallëza të shkurtra, të cilat përmes një gjuhe të thjeshtë trajtojnë tema të tilla si: ndryshimi mes nevojave dhe dëshirave; nga vjen paraja dhe për çfarë shërben ajo; administrimi i parave dhe kursimi etj.
  • 22 fletë pune, nëpërmjet plotësimit të të cilave, nxënësit do të mësojnë duke u argëtuar.
  • Udhëzuesi i Mësuesit synon t’i ndihmojë mësuesit të kuptojnë më mirë objektivat e paketës, si dhe t’i orientojë ata gjatë shqyrtimit të përrallëzave dhe fletëve të punës.

Qëllimi i paketës mësimore është edukimi financiar i nxënësve të klasave I, II dhe III, për të nxitur te ata ndjenjën e kujdesit ndaj parasë, dëshirën për të kursyer, si dhe të menduarit aktiv mbi paranë dhe çmimet. 

 Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të zhvillojë projektin në 30 shkolla 9-vjeçare pilot, fillimisht në qytetet Tiranë, Vlorë e Shkodër.

Paketa mësimore u mundësohet të gjithë shkollave tërësisht falas.

Për zbatimin sa më të suksesshëm të këtij projekti, janë organizuar seminare trajnuese për mësuesit e 30 shkollave pilot, me qëllim njohjen e mësuesve  me  konceptet kryesore të paketës dhe mënyrat e duhura të përçimit të informacionit tek fëmijët.

Paketa që u lançua sot përbën nivelin e parë të platformës së edukimit financiar të përgatitur nga Banka e Shqipërisë. Pas përfshirjes me sukses të modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” në kurrikulat e arsimit të mesëm, në vitin 2011, dhe pas prezantimit të paketës mësimore “1, 2, 3… derrkuci Çufo mëson të kursejë”, Banka e Shqipërisë është e angazhuar që në vitet në vijim, të përgatisë programe të tjera edukative të dedikuara për nxënësit e të gjitha niveleve.  Një nga ambicjet më të spikatura në këtë drejtim është përcjellja e informacionit edukativ sipas grupmoshave të caktuara nëpërmjet aplikacioneve të specializuara që operojnë me  sistemet operative IOS dhe Android. Përhapja në shkallë të lartë e aparateve telefonikë që operojnë më këto sisteme krijon një mundësi të artë për të arritur me lehtësi në shumicën e individëve.