BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO)
Data e publikimit: 22.10.2013
Në datën 18 tetor 2013, Banka e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhe zj. Beatrice Maser, Ambasadore, Drejtore e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në SECO, gjatë punimeve të konferencës me temë Krijimi i Kuadrit të Politikës Monetare: Cili është Roli për Konsiderimin e Sektorit Financiar?.
Nënshkrimi i marrëveshjes me SECO-n i mundëson Shqipërisë të bëhet pjesë e programit mbi asistencën dypalëshe dhe ndërtimin e kapaciteteve për bankat qendrore. Qëllimi i këtij programi është ofrimi i mbështetjes teknike në përmirësimin e cilësisë së parashikimit të inflacionit dhe politikbërjes monetare, nxitjen e zhvillimit të tregjeve efikase financiare, si dhe zhvillimin e një sistemi efektiv të administrimit të burimeve njerëzore. Marrëveshja do të ketë një shtrirje kohore prej 3 vitesh, përkatësisht 2013-2016.
Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike është qendra e ekspertizës së qeverisë federale të Zvicrës, e cila shqyrton të gjitha problemet kryesore që lidhen me politikat ekonomike. Qëllimi i tij është sigurimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke mundësuar kushtet e nevojshme për politikat rregullatore dhe ekonomike. Që prej vitit 1992, SECO, bazuar në kërkesat në rritje për asistencë teknike në fushën e bankingut qendror, ka mbështetur bankat qendrore të vendeve partnere, nëpërmjet një bashkëpunimi strategjik me Institutin e Studimeve për Zhvillime Ndërkombëtare (Graduate Institute of International and Development Studies). Bashkëpunimi me disa banka qendrore konsiston, përgjithësisht, në shërbime të përgjithshme këshilluese dhe aktivitete specifike të përshtatura sipas vendit, në formën e Asistencës Teknike dhe të Programeve të Trajnimit (TATPs).