BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë me temë: “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”

Data e publikimit: 30.10.2015

 

Në datën 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit organizoi konferencën e saj vjetore me temë: “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, rrethet akademike në vend, përfaqësues të sistemit bankar e financiar, përfaqësues të medias si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë. Kjo konferencë u organizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka nënshkruar në vitin 2010 me Universitetin e Oksfordit.

Konferenca u organizua në tre sesione, të cilat u paraprinë nga fjalët përshëndetëse të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Drejtorit të Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Oksfordit, z. Othon Anastasakis.

Në sesionin e parë u diskutua kryesisht mbi efektivitetin e politikës monetare dhe asaj fiskale, mbi ndryshimet strukturore, mbi rreziqet me të cilat po përballet ekonomia dhe sistemi financiar, mbi sfidat dhe politikat strategjike të së ardhmes në ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe ato të rajonit të Evropës Juglindore.

Gjatë sesionit të dytë, u diskutua mbi ndikimet e krizës në ekuilibrin makroekonomik e atë financiar si dhe u analizua efektiviteti i politikave ekonomike të zbatuara në ekonomitë e këtyre vendeve.

Sesioni i tretë u organizua në formën e një paneli diskutimi, ku përfaqësuesit e bankave qendrore shprehën opinionet e tyre mbi zhvillimet më të fundit në ekonomitë rajonale dhe sfidat me të cilat përballen këto ekonomi për tu bërë më atraktive për rritjen e investimeve të huaja. Punimet e konferencës u ndoqën nga 160 të ftuar.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike në vend, ku u shpreh se ekonomia shqiptare ka ndjekur një trajektore pozitive, por përsëri rritja ekonomike e shënuar është nën potencial. Në këtë kuadër, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të japë të gjithë kontributin e saj për ti garantuar vendit një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe inflacion në objektiv. Banka e Shqipërisë po ndjek një politikë monetare lehtësuese dhe krahas kësaj, ajo i ka kushtuar një vëmendje të madhe reformës në sektorin financiar dhe mbikëqyrjes bankare. Një rëndësi të veçantënë këtë drejtim kanë ndryshimet legjislative dhe rregullatore të ndërmarra në bashkëpunim me Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet e tjera të linjës, për rigjallërimin e aktivitetit kreditues në vend. Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko veçoi rëndësinë që kanë reformat strukturore në rritjen ekonomike të vendit. “Shqipërisë, ashtu sikurse gjithë rajonit të Evropës Juglindore, i duhet një shteg i ri nëpër të cilin investitorët e huaj të fillojnë të shikojnë përsëri oportunitete fitimi”, u shpreh zoti Sejko.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Drejtori i Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Oksfordit, z. Othon Anastasakis, zhvilloi një leksion me studentë të ekselencës të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku ishin të pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Rektori i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Prof. Dr. Dhori Kule, si dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe stafi pedagogjik i këtij Universiteti.