BANKA E SHQIPËRISË

Lufta kundër pastrimit të parave

Data e publikimit: 23.09.2002

 

Termat "pastrim parash" dhe "lufta kundër pastrimit të parave" u njohën dhe u bënë më të përdorshëm pas viteve '90 për shumicën e vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore, përfshirë edhe Shqipërinë. Hapja e këtyre vendeve drejt lëvizjeve të kapitalit dhe njerëzve, përpjekjet për t'u integruar me pjesën tjetër të botës, përveç aspekteve pozitive, sollën edhe ekspozimin më të madh ndaj fenomeneve të tilla si trafiqet dhe pastrimi i parave me origjinë
aktivitetet ilegale.

FMN vlerëson se sasia e parasë së pisët që pastrohet nëpërmjet sistemit financiar është tepër e madhe: midis 500 miliardë dhe 1.5 trilionë dollarëve amerikanë në vit ose sa 5 për qind e prodhimit të përgjithshëm botëror ("The Economist" 29 shtator 2001). Por, tashmë dihet që pastrimi i parave realizohet në forma të ndryshme jo vetëm nëpërmjet sistemit financiar të një vendi. Rrugët e ndryshme që janë gjetur për të realizuar pastrimin e parave kërkojnë që në luftën kundër këtij aktiviteti të përfshihet një grup institucionesh. Këtë çështje ligji nr.8610, datë 17.05.2000, "Për parandalimin e pastrimit të parave" e ka zgjidhur duke vendosur krijimin e një "Autoriteti Përgjegjës" tek i cili raportojnë një sërë institucionesh të përcaktuara me ligj dhe që kryen verifikimin e të dhënave të rapotuara duke kërkuar edhe të dhëna shtesë. Ky autoritet është "Agjencia e bashkërendimit të luftes kunder pastrimit te parave" pranë Ministrisë së Financave.

Banka e Shqipërise, si çdo subjekt tjetër i këtij ligji dhe në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të subjekteve të licencuara prej saj, ka për detyrë që të njoftojë Autoritetin Përgjegjës në rast se gjatë kryerjes së veprimtarisë së saj institucionale identifikon elemente të pastrimit të parave me qëllim parandalimin e tyre.

Lexo tekstin e plotë.