BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në aktivitetin “Kreditimi dhe Financimi i Bujqësisë Shqiptare”

Data e publikimit: 26.01.2022

 

Në datën 26 janar 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me temë “Kreditimi dhe Financimi i Bujqësisë Shqiptare”.

Ky takim u hap nga fjalët përshëndetëse të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zj. Frida Krifca, Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj, Kreut të BERZH për Shqipërinë, zj. Ekaterina Solovova, Kryetarit të Shoqatës së Bankave, z. Bledar Shella, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama.

 DSC8446 498

Ky aktivitet kishte në fokus nxitjen e diskutimeve mbi çështjen e kreditimit të sektorit bujqësor në vend si dhe prezantimin e nismës mbi mekanizmin lehtësues të financimit të agrobiznesit dhe turizmit shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko evidentoi faktin se me gjithë progresin e dukshëm të bërë gjatë viteve të fundit, sektori bujqësor shqiptar në tërësi dhe degët e lidhura me të, agroturizmi dhe agrobiznesi, janë ende larg shfrytëzimit të plotë të resurseve dhe mundësive që ato zotërojnë.

 DSC8258 498

Më tej, Guvernatori theksoi se pavarësisht zhvillimeve të sektorit bujqësor të cilat mund të jenë komplekse, mbështetja me fonde dhe kredi e sektorit bujqësor, meriton të ketë një vëmendje më të madhe nga sektori bankar.

 DSC8292 498

Guvernatori shtoi se,  konkretisht sektori bujqësor përfiton vetëm 1.7% të financimit që bankat ofrojnë për biznesin privat. Ky raport nuk ka ndryshuar në dekadën e fundit, me gjithë risitë që ka ofruar sistemi bankar për tregun e kredidhënies, dhe mbetet larg nevojave reale të sektorit.

 DSC8181 498

Niveli i ulët i kreditimit ka të bëjë me rrezikun e lartë, real e të perceptuar, që ka investimi në bujqësi, megjithatë, ky rrezik është drejt reduktimit. Nga ana tjetër, promovimi i agroturizmit dhe mbështetja e agrobiznesit, rrit zinxhirin e vlerës së shtuar dhe rentabilitetin e investimit në bujqësi.

 DSC8682 498

Në vijim, Guvernatori përshëndeti skemën e mekanizimit lehtësues të agrobiznesit, skemë e cila përfshin kontributin e përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai shtoi se kjo skemë ofron një kontribut të qenësishëm, rreth nivelit të 150 milionë eurove, si në formën e kredive direkte dhe në atë të mbështetjes me garanci për kreditim.

Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që sektori bankar të rrisë vëmendjen ndaj sektorit bujqësor. Shqipëria gëzon rreth 24% të territorit të saj si tokë bujqësore, si dhe ofron mundësi ende të pashfrytëzuara plotësisht në fushën e agroturizmit dhe të agrobiznesit. Ky potencial duhet parë si një mundësi e përbashkët rritjeje e bujqësisë dhe e industrisë bankare, si dhe si një mundësi për të diversifikuar burimet e rrezikut të kredisë në bilancet tuaja.

Në përfundim, Guvernatori Sejko theksoi se pa cenuar treguesit e tij të shëndetit, sektori bankar do të dijë të pozicionohet si një agjent mbështetës zhvillimi duke rritur vëmendjen  dhe kapacitetet e tij financuese, analizuese dhe këshilluese, duke përmbushur misionin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.