BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori prezanton në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016

Data e publikimit: 02.05.2017

 

Sot, në datën 2 maj 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016.

Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë është detyrimi ligjor me anë të të cilit përmbushet procesi llogaridhënës i institucionit për veprimtarinë e vitit të kaluar ushtrimor si dhe për të njohur ligjvënësit me disa nga objektivat kryesorë që do të udhëheqin punën e institucionit në periudhat në vijim.

 dsc3258 4 498

Siç theksoi që në fillim të fjalës së tij Guvernatori Sejko, veprimtaria e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2016 ka synuar përmbushjen me sukses të objektivave që rrjedhin nga ligji "Për Bankën e Shqipërisë" si dhe plotësimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga aktet nënligjore dhe nga marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Viti 2016 ishte shumë i rëndësishëm në drejtim të përsosjes institucionale. Gjatë vitit, vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u pasqyrua e plotë, me theks të veçantë në masat e marra në drejtim të forcimit të qeverisjes institucionale dhe përmirësimit organizativ, strukturor, teknologjik dhe financiar të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori u ndal në kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, si dhe për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. "... Politikat, masat dhe ndryshimet ligjore e rregullatore të iniciuara prej nesh, kanë dhënë një kontribut të qenësishëm në adresimin e zhbalancimeve makroekonomike, në nxitjen e aktivitetit ekonomik, në forcimin e stabilitetit financiar, si dhe në promovimin e procesit të integrimit evropian të vendit." - u shpreh Guvernatori.

Guvernatori nënvizoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur në vitin 2016 ka kontribuar në forcimin e rritjes ekonomike dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Guvernatori u shpreh se me gjithë tendencat pozitive, mjedisi ekonomik e financiar gjatë vitit 2016 ka qenë sfidues për politikën monetare, megjithatë ajo reagoi me vendosmëri dhe garantoi një ambient ekonomik dhe financiar me norma të ulëta interesi në kushtet e një likuiditeti të bollshëm.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi se falë punimeve kërkimore të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2016, është analizuar funksionimi i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe faktorët që e ndihmojnë apo e pengojnë atë. Në këtë kontekst, ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka identifikuar dy pengesa kryesore në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim më të gjerë. E para lidhet me nivelin e lartë të kredive me probleme, për të cilën është ndërtuar dhe është në zbatim plani kombëtar i veprimit për uljen e kredive me probleme. E dyta lidhet me nivelin e lartë të përdorimit të monedhës euro në ekonomi, për të cilën hartimi i një plani për uljen e euroizimit është angazhim i përbashkët i disa autoriteteve, dhe Banka e Shqipërisë është në procesin e identifikimit të masave që mund të ndërmerren prej saj në këtë drejtim.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko u ndal në një nga detyrat institucionale të Bankës së Shqipërisë siç është ruajtja e stabilitetit financiar të vendit dhe adresimi i rreziqeve të mundshme që prekin atë. Guvernatori theksoi se treguesit kryesorë financiarë të shëndetit të sektorit bankar - ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë - evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve. Ndërkohë Guvernatori u shpreh se rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohet sektori bankar vijon të mbetet ai i kredisë dhe për këtë arsye, reduktimi i kredive me probleme dhe krijimi i stimujve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë.

Në raport, u prezantuan edhe objektivat kryesorë të punës mbi të cilat do të orientohet veprimtaria afatshkurtër dhe afatmesme e Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2017 dhe më tej. Stabiliteti i çmimeve, soliditeti i sistemit bankar, gjallërimi i kredisë, furnizimi i tregut me likuiditet, nxitja e përdorimit të monedhës kombëtare, ulja e kredive me probleme, zbatimi i standardeve bashkëkohore të mbikëqyrjes, forcimi i qeverisjes, rritja e transparencës, si dhe shtimi i komunikimit me Kuvendin, me institucionet shtetërore dhe me partnerët strategjikë të Bankës do të përbëjnë boshtin e veprimtarisë së institucionit në periudhat në vijim.

Në emër të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputeti Anastas Angjeli relatoi mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2016, duke vlerësuar në përgjithësi punën e saj për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit si dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe përmbushjen e objektivave institucionalë sipas rezolutës të vitit të kaluar të Kuvendit. Në përfundim, z. Angjeli theksoi dhe sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, duke vënë në dukje dhe rekomandimet e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për përmirësimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe rritjen e kontributit të mëtejshëm të saj në mbështetje të ekonomisë së vendit.

Fjalën e plotë të Guvernatorit Sejko mund ta lexoni në faqen tonë të internetit në linkun: