BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Christian Steiner

Data e publikimit: 11.06.2020

 

Në datën 10 qershor 2020, Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Christian Steiner.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri për marrëdhëniet e mira, të cilat i kanë karakterizuar edhe në të kaluarën e hershme  dy vendet, duke nënvizuar me këtë rast rëndësinë e mbështetjes nga Republika e Austrisë së hapjes së negociatave për vendin tonë.

DSC 6991 498

Në krye të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare. Guvernatori u shpreh se si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 pritet të shënojë rënie dhe të rikuperohet gradualisht vitet e ardhshme.

Në vijim, Guvernatori prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend, duke theksuar se ky sistem është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. Ky sektor ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Gjithashtu, Guvernatori e njohu Ambasadorin me ndërhyrjen e autoriteteve publike për përballimin e kësaj situate, si dhe me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë bankave dhe klientëve të tyre, si dhe për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me likuiditet sistemin bankar duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshime rregullative.

DSC 6987 400

Ambasadori Steiner theksoi rëndësinë në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, dhe vlerësoi kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Steiner për bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror nga Banka Kombëtare e Austrisë.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik me Austrinë si partner strategjik,  kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.