BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon takimin përmbyllës me përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 12.07.2024

 

Më 12 korrik 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Në fokus të takimit ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.

DSC 7458 498x332

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se trendet e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit kanë qenë dhe mbeten pozitive, edhe përballë një ambienti botëror sfidues. Po ashtu, Guvernatori theksoi se përditësimi i parashikimeve sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.

Guvernatori diskutoi lidhur me qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ai u shpreh se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke u kujdesur – në të njëjtën kohë – të ruajë dhe kursimet e familjeve shqiptare.

DSC 7343 498x332

Në vijim, ai shtoi se normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022 – 2023 bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.

Nga ana e saj, shefja e Misionit të FMN-së konfirmoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.

DSC 7302 498x332

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se rënia e inflacionit në tremujorin e dytë 2024 ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas, ndaj Banka e Shqipërisë vlerësoi se lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare pritet të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Shefja e Misionit të FMN-së u shpreh se ky qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe konsistent me respektimin e objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Gjithashtu, ajo nënvizoi se politika monetare duhet të vijojë të mbetet fleksibile, duke u udhëhequr në vazhdimësi nga informacioni i ri mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.

DSC 7317 498x332

Zj. Weber shtoi se progresi i mëtejshëm i reformave financiare të ndërmarra në vite do të sofistikojë më tej strukturën mbikëqyrëse dhe rregullatore, duke nxitur zhvillimin e tregjeve financiare, duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorit, si dhe duke garantuar mbrojtjen e sistemit bankar. Megjithatë, ajo theksoi se moscënimi i pavarësisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë mbetet në çdo rast një parakusht esencial për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar të vendit.

Së fundmi, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare, dhe mbështetjen e integrimit evropian e ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.

DSC 7538 498x332

Në një këndvështrim më afatgjatë, Banka e Shqipërisë gjykon se forcimi i ritmit të zhvillimit të vendit dhe i qëndrueshmërisë së tij kërkon vazhdimin e reformave strukturore.

Të dy palët theksuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës ekonomike dhe financiare, si dhe të koordinimit të kujdesshëm të politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

Në mbyllje, zj. Weber falënderoi autoritetet shqiptare për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të ofruar gjatë vizitës.