BANKA E SHQIPËRISË

NJOFIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon një takim me përfaqësuesit e Moody’s

Data e publikimit: 03.09.2024

 

Më 3 shtator 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me një delegacion nga Moody’s Analytics.

DSC 9729 498x332

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta dhe serioze me të cilat është përballur gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se Shqipëria gëzon një rritje ekonomike solide, inflacion të ulët dhe nën kontroll, si dhe përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Më tej, Guvernatori nënvizoi se përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen. Më konkretisht, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Në këtë kontekst, Guvernatori shtoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

DSC 9817 498x332

Më tej, Guvernatori informoi përfaqësuesit e Moody’s mbi qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Guvernatori theksoi se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve.

DSC 9862 498x332

Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ofron gjithë mbështetjen e saj për integrimin evropian dhe ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.

DSC 9882 498x332

Më 19 prill 2024, Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moody’s Rating”- e cila është e ndarë nga dega “Mood’y’s analytics”-  ndryshoi perspektivën e Shqipërisë, nga “e qëndrueshme” në “pozitive”.

DSC 9948 498x332