BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon një takim me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete

Data e publikimit: 22.09.2023

 

Në datë 22 shtator 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko zhvilloi një takim me Ministrin e ri të Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, ku diskutuan mbi situatën aktuale ekonomike të vendit, pritshmëritë dhe zhvillimet më të fundit ekonomike.

Në krye të takimit Guvernatori Sejko e uroi Ministrin Mete për  emërimin e tij në detyrën e re si Ministër në krye të një institucioni kyç në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Në vijim, Guvernatori prezantoi një panoramë të situatës ekonomike e financiare në vend bazuar në të dhënat më të fundit, zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe dhe  sfidat e së ardhmes.

 DSC8545 498

Guvernatori u shpreh se nga këndvështrimi makroekonomik zhvillimet ekonomike kanë qenë  pozitive, ekonomia është zgjeruar me ritme të mira, inflacioni ka shënuar rënie progresive,  aktiviteti  ekonomik,  punësimi e pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa ekuilibrat e përgjithshëm ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim.

Gjithashtu, të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.

Guvernatori shtoi se parashikimet e Bankës sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin e politikës së saj monetare  prej 3% gjatë vitit të ardhshëm.

 DSC8524 498

Lidhur me tregjet financiare, z. Sejko u shpreh se ato kanë qenë relativisht të qeta dhe ecuria e sektorit bankar ka qenë pozitive.  Sektori paraqitet me bilance të shëndetshme dhe një shkallë të lartë rezistence ndaj goditjeve të mundshme. Kjo rezistencë pasqyron modelin e tij të qëndrueshëm të biznesit, shkallën e lartë të likuiditetit dhe nivelin e kënaqshëm të kapitalizimit.

Për sa i përket qëndrimit të politikës monetare, Guvernatori Sejko theksoi se ajo ka pasur një përcjellje të mirë në tregjet financiare dhe efektet e reagimit të kësaj politike kanë ndikuar dhe janë të dukshme në frenimin e rritjes së inflacionit dhe në vendosjen e tij në një trajektore rënëse.

Për këtë arsye, fokusi prioritar i politikave ekonomike ka qenë dhe mbetet marrja e masave të koordinuara për zbutjen e kostove të inflacionit dhe kontrollin e kthimin e tij në objektiv.

Më tej, Guvernatori Sejko dhe Ministri Mete ndanë të njëjtin opinion se vëmendja e politikës monetare dhe fiskale duhet të jenë të koordinuara dhe të orientohen drejt ruajtjes së ekuilibrave ekonomike dhe financiarë të vendit.

Gjithashtu, diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e kursit të këmbimit, rritjen e kreditimit në vend, dhe projektet e përbashkëta në modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave etj.

Në përfundim, titullarët e institucioneve u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin si dhe të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe ruajtur stabilitetin financiar në vend.