BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko takon Presidenten e BERZH-it dhe përshëndet Ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis BERZH-it dhe Bankës ProCredit

Data e publikimit: 11.04.2022

 

Në datën 11 prill 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zj. Odile Renaud-Basso, shoqëruar nga z. Matteo Colangeli, Drejtor Rajonal për Ballkanin Perëndimor, zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, dhe përfaqësues të tjerë të BERZH-it.

 DSC6986 498

Kjo është vizita e parë e Presidentes së BERZH-it pas marrjes së kësaj detyre dhe zhvillohet në kuadër të mbështetjes që ky institucion jep për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri, së bashku me BE-në dhe partnerë të tjerë. Guvernatori Sejko fillimisht bëri një ekspoze të zhvillimeve më kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se pavarësisht goditjeve të tërmetit dhe pandemisë, pasigurive të shtuara dhe sfidave të ndryshme, Shqipëria shënoi rimëkëmbje ekonomike. Një rol të veçantë pati koordinimi midis autoriteteve kryesore dhe masat e ndryshme të cilat ndihmuan në kapërcimin e kësaj situate me sa më pak efekte negative dhe mosndikimin afatgjatë të zhvillimit të vendit.

Më tej, Guvernatori u ndal në efektet e pritshme të konfliktit Rusi-Ukrainë në ekonominë shqiptare dhe sfidave me të cilat përballet ajo në kushtet e një situate botërore me çmime të larta. Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend si objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, si dhe për minimizimin e pasojave që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

 DSC6942 498

Gjatë takimit, një fokus të veçantë patën dhe politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e deeuroizimit, reduktimit të raportit të kredive me probleme dhe digjitalizimit të sistemeve të pagesave. Të gjitha këto politika synojnë të rrisin efektivitetin e politikës monetare, të forcojnë aftësitë e sektorit bankar për të kredituar ekonominë dhe rrisin eficiencën e sistemeve të pagesave në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, por dhe formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë.

Një pikë tjetër diskutimi ishin dhe vështirësitë që ka financimi i kompanive në fushën e agrobiznesit dhe të turizmit, të cilat, në pjesën dërrmuese janë të organizuara si sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Nga ana tjetër, u evidentua potenciali i madh i këtyre kompanive, si krijuese vlere, si promotore të punësimit dhe si burim inovacioni. Të pranishmit dakordësuan se të gjithë këta janë ingredientë të rëndësishëm për një recetë të suksesshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

 DSC7207 498

Më tej, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Presidentes së BERZH-it për kontributin e rëndësishëm dhe për mbështetjen që ky institucion ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë, së fundmi në fushën e mbikëqyrjes bankare, nëpërmjet asistencës teknike lidhur me vetëvlerësimin e përputhshmërisë me standardet evropiane.

Presidentja e BERZH vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe më në veçanti me sistemin bankar në vend, duke sjellë në jetë projekte shumë të suksesshme dhe me vlerë të shtuar për Shqipërinë. BERZH do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor dhe do të ofrojë mbështetje në fusha kyçe të ekonomisë së vendit.

Pas takimit, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u organizua, me praninë e mediave, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës ProCredit, për përdorimin e instrumentit të ndarjes të rrezikut në kuadër të Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri.

Ceremonia u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit Sejko, Presidentes së BERZH-it, zj. Odile Renaud-Basso, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zj. Frida Krifca, Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, zj. Mirela Kumbaro, të ngarkuarit me punë të Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Alexis Hupin, anëtarëve të Bordit të Menaxhimit të ProCredit Bank Albania, z. Mirsad Haliti dhe z. Diamant Ibrahimi.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Guvernatori Sejko shprehu konsideratën e tij lidhur me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila mundëson jo vetëm disponibilitet fondesh, por gjithashtu rrit kapacitetin analizues, vlerësues dhe më tej financues të sektorit bankar. Ai shtoi se çdo përpjekje për të rritur aksesin në financim duhet parë si një mundësi e përbashkët për rritje, si nga sektori real, ashtu edhe nga industria bankare.

Guvernatori shtoi se instrumentet e garancisë dhe të ndarjes së rrezikut lehtësojnë barrën e bankave në terma të rrezikut dhe më tej ndihmojnë në shtrimin e rrugës drejt financimit të qëndrueshëm të këtyre sektorëve.

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë inkurajon industrinë bankare për një angazhim më të madh në rritjen e aksesit në financim, por të kujdesshëm, tek sektorët potencialë të vendit.

Në përfundim, Guvernatori falënderoi partnerët ndërkombëtarë, BERZH-in dhe BE-në, për mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë. “Falë kësaj mbështetjeje, ne jemi në gjendje të arrijmë rezultate të zhvillimit të qëndrueshëm e të sjellim një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve.” – tha Guvernatori.