BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko priti sot në një takim me Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco

Data e publikimit: 01.04.2022

 

Në datën 1 prill 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco.

 DSC5217 copy 498

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin Del Monaco me zhvillimet financiare në vend, ku në krye të bisedës ishte trajtimi i efekteve të krijuara nga pandemia COVID-19, tensioni gjeopolitik aktual dhe efektet e tij në ekonominë shqiptare.

Guvernatori theksoi se Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur, e për rrjedhojë ndikohet nga zhvillimet ndërkombëtare. Ashtu si çdo vend tjetër, ekonomia shqiptare u godit nga pandemia, por po vijon të rimëkëmbet me ritme të shpejta mbështetur nga një sërë faktorësh, si dhe nga masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera që kanë synuar zbutjen e efekteve negative në mirëqenien e bizneseve dhe individëve.

 DSC5210 copy 498

Guvernatori u shpreh se falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, aktiviteti ekonomik u rikuperua gradualisht gjatë vitit 2021.

Lidhur me tensionin gjeopolitik, Guvernatori u shpreh se kjo situatë pritet të japë efekte në ekonominë shqiptare, megjithatë projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Bazuar në analizat dhe projeksionet aktuale të Bankës së Shqipërisë, vlerësohet se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim.

Guvernatori shtoi se ambienti ndërkombëtar sfidues dhe konflikti Ukrainë-Rusi, do të vijojë të jetë në monitorim të vazhdueshëm të institucionit që ai drejton.

Nisur nga parashikimi që niveli i inflacionit do të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim, Banka vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi. Kjo përshtatje synon të krijojë kushtet e nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.

Në vijim, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm dhe mbështetjen e mëtejshme të ekonomisë së vendit.

Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria po zhvillohet në kushte normale dhe treguesit e këtij sektori paraqiten të qëndrueshëm, duke krijuar kështu premisat për një ambient financiar të gatshëm për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbështetur sektorët potencialë të tij.

Nga ana e tij, Ambasadori vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, dhe shtoi se falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Një tjetër çështje e diskutuar, ishte zbatimi i reformave ekonomike dhe procesi i integrimit evropian të vendit, ku i një rëndësie të veçantë për bankën mbetet përafrimi i vazhdueshëm i kuadrit rregullator dhe praktikave të punës me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Në vijim, Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco, falënderoi Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.