BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore
Data e publikimit: 28.02.2020
Në datën 28 shkurt 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në Athinë, Greqi.
Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.
Përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve, lidhur me menaxhimin e borxhit publik dhe prioritetet që duhen ndjekur për të garantuar stabilitetin financiar dhe një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej nga zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar nga z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe zj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në stabilitetin makroekonomik.
Guvernatori u shpreh se, pavarësisht ngadalësimit të ritmeve të rritjes ekonomike gjatë vitit 2019, treguesit e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit vijojnë të mbeten solidë. Punësimi dhe pagat janë rritur, norma e papunësisë shënoi minimumin historik, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar, deficiti buxhetor mbetet i kontrolluar dhe borxhi publik është në rënie, sektori bankar është rentabël, me tregues likuiditeti dhe kapitalizimi mbi kërkesat rregullatore. Në veçanti, raporti i kredive me probleme ka zbritur në 8.3% të portofolit në muajin janar 2020. Reduktimi i rrezikut të kreditit dhe konsolidimi i sektorit bankar krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë të kredisë në të ardhmen.
Lidhur me sektorin financiar, Guvernatori theksoi se masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe stimuli monetar ka ndihmuar uljen e normave të interesit, duke nxitur rritjen e kredisë dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit të bizneseve dhe familjeve. Stimuli monetar i ka mundësuar Shqipërisë një ambient financiar transparent, me norma të ulëta e të qëndrueshme interesi, me likuiditet të bollshëm dhe me luhatje të moderuara të kursit të këmbimit.
Këto zhvillime krijojnë premisa për rritje të qëndrueshme në të ardhmen, duke mundësuar zgjerimin e mëtejshëm të punësimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të treguesve kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.
Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit. Duke ndarë pikëpamje të ngjashme me institucionet financiare ndërkombëtare, Guvernatori u shpreh mbi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Domenico G. Fanizza.
Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Patrizio Pagano.