BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP 
Guvernatori Sejko merr pjesë në Forumin e Ministrave të Ekonomisë të organizuar në Tiranë me titull “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”

Data e publikimit: 27.09.2023

 

Në datën 26 shtator 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ishte i ftuar të merrte pjesë në Ministerialin e ministrave të ekonomisë të vendeve të rajonit, të mbajtur në Tiranë, në kuadër të procesit të Berlinit. Punimet e Ministerialit u çelën nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, për të vijuar me fjalët përshëndetëse edhe të përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

 DSC9185 498

Guvernatori Sejko ishte pjesë e Panelit të Guvernatorëve në sesionin e tretë, me temë “Integrimi i sistemeve të pagesave të rajonit për të lehtësuar tregtinë dhe përgatitjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor për një integrimin në Eurozonë”. Në hyrje të fjalës së tij, Guvernatori theksoi rëndësinë e organizimit të këtij Ministeriali, i cili promovon bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe duke kontribuuar në integrimin këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Në vijim, Guvernatori u ndal në rëndësinë e zhvillimit të sistemeve të pagesave në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe formalizimit të ekonomisë në kontekstin vendas, në veçanti kontributi që pagesat e shpejta japin në përfshirjen financiare, qarkullimin e parasë në kanale formale, rritjen e konkurrencës, reduktimin e tarifave për pagesat elektronike etj.

 DSC9239 498

Guvernatori shtoi se në mënyrë të ngjashme, harmonizimi me praktikat evropiane është po aq i rëndësishëm, duke pasur parasysh se integrimi në BE është një objektiv i përbashkët dhe parësor për gjashtë vendet tona. Për këto arsye, rritja e shkëmbimeve tregtare me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe me Bashkimin Evropian mbart një rëndësi thelbësore.

Në vijim, ai veçoi rëndësinë e projektit rajonal për “Modernizimin e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, i cili është në përputhje me të gjitha objektivat e lartpërmendura dhe promovon avancimin e tyre. Ky projekt mbështet zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor të bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, me synimin për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për ta afruar atë me tregjet e BE-së.

 DSC9072 498

Guvernatori Sejko shtoi se Komisioni Evropian ka miratuar gjithashtu edhe një Plan gjithëpërfshirës Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të nxisë rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë të rajonit, të mbështesë kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe transformimin digjital, si dhe të forcojë integrimin dhe konvergjencën rajonale me Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë dhe zbatuar Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël, e cila përfshin reforma dhe zgjidhje për pagesat në kohë reale brenda vendit për Shqipërinë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar diskutimet me Bankën Botërore dhe bankat qendrore homologe të Eurozonës, Banca d’Italia lidhur me përputhshmëritë rregullative e ligjore me qëllim gjetjen e zgjidhjeve sa më të mira dhe anëtarësimin e vendit në SEPA.

 DSC8957 498

Këto plane dhe projekte gjithëpërfshirëse dhe të harmonizuara, do të lehtësojnë adresimin e sfidave të përbashkëta që lidhen me: uljen e informalitetit, reduktimin e përdorimit të parasë fizike, nxitjen e pagesave elektronike, digjitalizimin e shërbimeve, rritjen e përfshirjes financiare, uljen e varfërisë dhe pagesat për shërbimet e pandërprera të qeverisë. “Të gjitha këto elemente janë adresuar në projektin për të cilin ne të gjithë po punojmë për të siguruar pagesa të menjëhershme në 24/7 brenda pak sekondash” – tha Guvernatori.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko shprehu vlerësimet për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Qeverinë Shqiptare, të cilët kanë qenë gjithmonë partnerë dhe mbështetës të rëndësishëm në rrugëtimin e Bankës së Shqipërisë për modernizimin e sistemeve të pagesave të vendit nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023).