BANKA E SHQIPËRISË

Ftesë për pjesëmarrje dhe thirrje për kumtesa

Data e publikimit: 28.06.2019

 

Konferenca III e Muzeut të Bankës së Shqipërisë

“Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”

Tiranë, 15 nëntor 2019

Banka e Shqipërisë ka kënaqësinë të njoftojë organizimin e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 15 nëntor 2019, në selinë e saj qendrore, në Tiranë.

Konferenca njëditore do t’i kushtohet temës: “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”.

Në përgjithësi, muzetë, si institucione kulturore, studimore dhe edukuese, që grumbullojnë, ruajnë dhe paraqesin objekte me vlerë historike, shkencore, kulturore e artistike, synojnë informimin dhe edukimin e shoqërisë në një fushë të caktuar. Në këtë këndvështrim, edhe Muzeu i Bankës së Shqipërisë, përmes një koleksioni të pasur numizmatik synon të njohë e të edukojë publikun e gjerë me evoluimin ndër shekuj të parasë, që nga forma e saj më e hershme deri te ajo e ditëve tona, forma e saj dixhitale.

Zhvillimet e fundit teknologjike i kanë kthyer muzetë e bankave qendrore, krahas të tjerash, në qendra informacioni, ku përmes aplikacioneve, filmave, botimeve edukative dhe leksioneve, vizitorët jo vetëm informohen, por mbi të gjitha përftojnë një përvojë interaktive.

Në fakt, kjo qasje e re e muzeve, gjithmonë e në rritje, ka ndikuar në përmirësimin e njohurive dhe kulturës në një fushë të caktuar. Kjo sepse përvoja e përjetuar gjatë vizitës së një muzeu edukon, frymëzon dhe i ndihmon individët të fitojnë njohuri, vlera dhe qëndrime, që mund të vijnë nga trashëgimia dhe e kaluara e vendit, e prezantuar në forma të reja dhe me një vështrim nga e ardhmja.

Në këtë kuadër, qëllimi i kësaj konference është të mbledhë së bashku punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues me përvojë, por edhe të rinj në fushën e muzeologjisë, dhe edukimit  për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit. 

Disa orientime/propozime për tematikat që mund të trajtohen:

  • Menaxhimi i koleksioneve muzeore dhe edukimi përmes trashëgimisë
  • Inovacioni, edukimi dhe trashëgimia kulturore
  • Muzetë si hapësira të edukimit joformal: e ardhmja e traditës[1]
  • Integrimi i teknologjisë në ekspozita, si ndihmë e rolit edukativ të muzeve
  • Forma inovative të edukimit në muze: përvoja të suksesshme
  • Vizitat në muze si pasurim i njohurive të kurrikulës shkollore

Banka e Shqipërisë fton të interesuarit të shprehin interesin për të qenë pjesë e kësaj konference, duke dërguar një abstrakt të zgjeruar të kumtesës së propozuar dhe një jetëshkrim të shkurtër deri më 15 shtator 2019, ora 23:59, në adresat:

Muzeu i Bankës së Shqipërisë: [email protected];

Elsa Zhulali (Departamenti i Kërkimeve): [email protected]

Pjesëmarrja në këtë konferencë nuk parashikon pagesë.

Autorët e kumtesave të përzgjedhura do të njoftohen brenda datës 18 tetor 2019.

[1] Kjo tematikë propozohet e tillë sipas shembullit të temës ndërkombëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM), “Muzetë si  qendra kulturore: e ardhmja e traditës”.