BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Forumi financiar i Shqiperisë
Data e publikimit: 09.04.2013
U mbajt dje në Tiranë mbledhja e parë e Forumit Financiar të Shqipërisë, një forum për bankat ndërkombëtare i organizuar nga vendi pritës. Mbledhja u zhvillua nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhe u organizua së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Forumi solli në një tryezë të përbashkët grupet bankare kryesore që veprojnë në Shqipëri, filialet e tyre, autoritetet mbikqyrëse nga Austria, Franca,Turqia dhe Italia. Në këtë forum ishte i pranishem dhe diskutoi Ministri i Financave Z. Ridvan Bode, si edhe përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Autoritetit Evropian të Bankave dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth perspektivës së ekonomisë dhe të sistemit financiar në Shqipëri, strategjive të bankave lokale, rolin e filialeve shqiptare në operacionet e grupeve bankare, si dhe ndikimin që kanë nismat më të gjera bankare ndërkombëtare. Në këtë forum, u diskutua hapur për sfidat me të cilat përballen pjesëmarrësit gjatë veprimtarisë së tyre, me fokus në mënyrën se si kuadri rregullator dhe strategjitë e biznesit të bankave mund të ndihmojnë në përmirësimin e eficiencës së operacioneve bankare në Shqipëri, duke siguruar njëkohësisht stabilitetin financiar. Gjithashtu, u diskutua se çfarë mund të bëjnë organizmat ndërkombëtare për të mbështetur këtë proces..
Një sesion i veçantë iu kushtua përmirësimit të ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, duke u përqendruar në çështje si kreditë e këqija, zhvillimi i tregut financiar dhe i kapitalit, si dhe roli i nismave ndërkombëtare dhe rajonale për të nxitur progres në këtë fushë. Pjesëmarrësit diskutuan faktorët që kanë ndikuar në ecurinë e ngadaltë të rritjes së kreditimit së fundmi në Shqipëri, si dhe masat që mund të ndërmerren për ta përmirësuar atë.
Të gjithë pjesëmarrësit shprehën përkushtimin e tyre për angazhim në Shqipëri dhe ranë dakord se ky forum dha një mundësi të vlefshme për një shkëmbim të hapur të pikëpamjeve dhe identifikimin e çështjeve që duhen ndjekur në vijimësi.
* * *
Forumi u organizua nën kujdesin e Vienna Initiative II, që sjell së bashku grupet kryesore ndërkombëtare bankare që operojnë në Evropën Qendrore, Lindore, dhe Juglindore, filialet e tyre lokale, si dhe autoritetet mbikqyrëse të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse, si dhe organizata ndërkombëtare, për të diskutuar dhe zgjidhur çështje me interes të përbashkët (www.vienna-initiative.com).