BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë zj. Luljeta Minxhozi në takimin e konsultimit publik të Amnistinë Fiskale

Data e publikimit: 15.07.2022

 

I nderuar SH.T.Z., Kryeministër Rama,

I nderuar z. Zëvendëskryeministër Ahmetaj,

E nderuar zj. Ministre e Financave Ibrahimaj,

I nderuar z. Ministër i Drejtësisë,

Të nderuar pjesëmarrës,

 Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë takim dhe të diskutoj një fenomen jo pak shqetësues, i cili në vazhdimësi ka marrë vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, por dhe të një sërë institucionesh të tjera, siç është ai i parasë jashtë bankave dhe ekonomisë informale.

Përdorimi i lartë i cash-it është tipar dallues kryesisht i ekonomive në zhvillim. Përgjatë 10-vjeçarit të fundit, raporti i parasë jashtë bankave ndaj parasë së gjerë në rajonin tonë është luhatur mesatarisht nga 17% në 28%, ku kufiri maksimal i këtij intervali i përket Shqipërisë. Në vendin tonë, ky fenomen është i lidhur: me “forcën e zakonit”; me pikënisjen në kushte më të pafavorshme të ekonomisë së tregut, ku vendi ishte gjerësisht rural; me nivelin e lartë të të ardhurave prej remitancave dhe të punës me karakter sezonal; me shkallën e ulët të kulturës financiare të popullsisë; nivelin e bankingut dhe të përdorimit të shërbimeve bankare; si dhe me praninë e lartë të informalitetit.

 

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se transaksionet cash ushqejnë dhe ushqehen nga një sektor informal i ekonomisë. Pavarësisht progresit të bërë gjatë viteve të fundit, informaliteti i lartë mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare. Ai shtrembëron konkurrencën e ndershme, vështirëson vënien në eficiencë të plotë të potencialeve prodhuese të vendit, si dhe rrit pasigurinë për të punësuarit dhe familjet që operojnë në sferën informale. Studimet tregojnë se informaliteti redukton të ardhurat fiskale, çka rrit presionin fiskal mbi bizneset e ndershme dhe rezulton në një nivel më të ulët shërbimesh publike.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë prej vitesh është angazhuar në nxitjen dhe promovimin e përdorimit të kanaleve formale dhe të sigurta për transaksionet e parasë. Në mënyrë aktive, ne kemi punuar për rritjen e popullaritetit të edukatës dhe kulturës bankare, për përmirësimin e infrastrukturës për shërbimet e pagesave, si dhe për nxitjen e pagesave elektronike. Zgjerimi i mbulimit të popullatës me akses në shërbime financiare konsiderohet thelbësor për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe adresimin e problematikave që rrjedhin prej saj, dhe ndërmjet tyre, edhe shkallën e lartë të informalitetit.

Pjesë e strategjisë së Bankës së Shqipërisë ka qenë investimi në infrastruktura të reja dhe moderne të sistemeve të pagesave. Deri tani janë implementuar sistemi për kryerjen e pagesave ndërbankare në euro brenda vendit, duke shmangur bankat korrespondente, si dhe ai për debitimin direkt ndërbankar që i mundëson klientëve të bankave të kryejnë pagesat utilitare, pa pasur nevojë të paraqiten në bankë. Sistemet ekzistuese të shlyerjes në kohë reale janë përmirësuar për të përfshirë të gjitha institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike (FinTech etj.), duke konkurruar në kushte të barabarta me bankat. Funksionimi i këtyre sistemeve sjell avantazhe të mëdha për konsumatorin, nëpërmjet rritjes së fleksibilitetit, uljes së ndjeshme të kostove dhe rritjes së aksesit në shërbimet e pagesave.

 

Me miratimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, Shqipëria u bë vendi i parë në rajon që transpozoi direktivën evropiane PSD2 në legjislacionin e saj, duke krijuar kushte për reduktimin e kostove të shërbimeve të pagesave, si dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullatës. Po ashtu, ky ligj siguron një kuadër të konsoliduar rregullator për rritjen e transparencës së shërbimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit. Nga ana tjetër, zhvillimi i “Fin Tech” dhe institucioneve novative të pagesave ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe efikasitetit, si dhe reduktimin e kostove.

Shifrat për zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës dhe të rritjes së përdorimit të pagesave elektronike në jetën e përditshme janë inkurajuese. Kështu, prej vitit 2021, 70% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari pagese dhe numri i pagesave për frymë është 12; të dy këta objektiva planifikohej të arriheshin në fund të vitit 2023. Po ashtu, numri i pagesave me instrumente elektronike është dyfishuar krahasuar me pesë vite më parë.

Vizioni i Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e shërbimeve të pagesave nuk mbaron këtu. Projektet tona të afërta për reformimin dhe zhvillimin e pagesave elektronike përfshijnë:

  • miratimin e ligjit për “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili mundëson hapjen dhe përdorimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike për konsumatorët dhe individët e pambuluar me shërbime bankare;
  • zhvillimin e infrastrukturës për procesimin e pagesave kombëtarë brenda vendit, nëpërmjet Instant Payment apo krijimit të një SWITCH-i kombëtar, të cilat mbështesin ndjeshëm përdorimin e pagesave elektronike dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë elektronike;
  • digjitalizimin e pagesave të shërbimeve publike, ku Banka e Shqipërisë do të mbështesë përpjekjet e AKSHI-t për zgjerimin e pranimit të pagesave online në e-Albania, me qëllim zgjerimin e gamës së shërbimeve publike që mund të paguhen në këtë formë.

Ndërkohë që përmirësimet e sistemeve të pagesave, rritja e edukimit financiar dhe digjitalizimi i shërbimeve financiare përbëjnë një parakusht që ndihmon adresimin e nivelit të lartë të përdorimit të cash-it, reduktimi i informalitetit është një problem edhe më kompleks që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë optikë, Banka e Shqipërisë e sheh projektligjin “për amnistinë”, si një iniciativë të qeverisë e cila synon, në radhë të parë, rritjen e formalizimit të ekonomisë, reduktimin e cash-it në ekonomi, dhe, më tej, rritjen e shkallës së kapitalizimit në sektorin real dhe të likuiditetit në sektorin financiar, ndonëse ky i fundit aktualisht gëzon një shkallë të lartë likuiditeti, çka e aftëson atë të kryejë më së mirë rolin e ndërmjetësuesit financiar. Kapaciteti i ekonomisë reale për të thithur fondet do të rritej me zhvillimin e sofistikimin e bizneseve, me përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe me adresimin e informalitetit. Nga ana tjetër, amnistia fiskale duhet të shmangë medoemos depërtimin e parave të ardhura nga krimi dhe korrupsioni, për të mos lejuar pastrimin e tyre dhe për të mos rritur rrezikun reputacional për ekonominë shqiptare. Nuk duhet të krijohet koncepti i amnistive të vazhdueshme fiskale, por ajo duhet të kryhet njëherë, të jetë funksionale, e mirëmenduar, praktike dhe të krijojë premisat e formalizimit të ekonomisë. Paralelisht me implementimin e amnistisë, të gjitha institucionet publike duhet të shtrëngojnë rregullat fiskale për të minimizuar evazionin fiskal pas amnistisë, për ta bërë atë më eficiente dhe me sa më pak pasoja e shtrembërime të tregut.

Dëshiroj ta përfundoj fjalën time duke shprehur edhe një herë angazhimin e Bankës së Shqipërisë në nismat që synojnë krijimin e një mjedisi ekonomik e financiar nxitës për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Ju faleminderit!