BANKA E SHQIPËRISË
Financat personale në Duart tuaja!
Data e publikimit: 07.09.2011
Financat personale në Duart tuaja është një tekst mësimor, i cili i kushtohet gjimnazistëve të vendit. Ky tekst është hartuar nga specialistë të Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe mësues të lëndës së ekonomisë. Banka e Shqipërisë, në vijim të angazhimit serioz për edukimin ekonomik dhe financiar të publikut është tashmë pjesë zyrtare e kurrikulës mësimore të arsimit të mesëm shqiptar, nëpërmjet lëndës me zgjedhje të lirë mbi edukimin financiar dhe tekstit të saj mësimor Financat personale në Duart tuaja.
Qëllimi i lëndës dhe tekstit të saj mësimor është përfshirja për herë të parë e edukimit financiar në kurrikulën e arsimit të mesëm të vendit. Nëpërmjet këtij teksti, i cili është shkruar me një gjuhë dhe didaktikë të përshtatshme për moshën e tyre, nxënësit mund të mësojnë mbi administrimin e drejtë të parasë dhe produkteve të ndryshme financiare, sjelljes konsumatore dhe rëndësisë së planifikimit financiar për mirëqenien e secilit dhe sistemit financiar në përgjithësi.
Banka e Shqipërisë e vlerëson rolin e mësuesit si të rëndësishëm në përthithjen e njohurive nga nxënësit. Përpara fillimit të vitit shkollor Banka e Shqipërisë organizon trajnimin e mësuesve që do të trajtojnë këtë lëndë për të garantuar kuptimin e drejtë të koncepteve ekonomike dhe financiare që përmban teksti i saj.
Teksti "Financat personale në Duart tuaja" do t'i dhurohet të gjithë gjimnazistëve që vendosin të zgjedhin modulin me zgjedhje të lirë mbi edukimin financiar.
Për më shumë informacion lexoni: