BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Dokumenti për misionin e mbikëqyrjes
Data e publikimit: 09.02.2006
Funksioni i mbikëqyrjes ushtrohet nga Banka e Shqipërisë, si bankë qendrore, në bazë të ligjit "Për Bankën e Shqipërisë" nr. 8269, datë 23.12.1997 dhe të ligjit " Për bankat në Republikën e Shqipërisë" nr. 8365, datë 02.07.1998.
Misioni i mbikëqyrjes
Banka e Shqipërisë, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoriteti mbikëqyrës i bankave dhe i subjekteve të tjera, që kryejnë veprimtari financiare të licencuara prej saj:
siguron veprimtari të shëndoshë bankare në harmoni të plotë dhe në zbatim të kuadrit ligjor e rregullativ përkatës, me qëllim parandalimin e krizave financiare dhe mbrojtjen e depozituesve;
ruan stabilitetin e sistemit bankar dhe më gjerë, duke monitoruar zhvillimet e tregut dhe duke rekomanduar masat e nevojshme, në mënyrë që bankat t'iu përshtaten këtyre zhvillimeve dhe të administrohen në vazhdimësi sipas parimeve më të mira;
forcon besimin e publikut tek sistemi bankar si edhe nxit disiplinën e tregut, duke kërkuar rritjen e transparencës së sistemit bankar;
ndikon në zhvillimin e një konkurrence të ndershme në sistemin bankar dhe më gjerë, dhe siguron trajtimin e barabartë të subjekteve të licencuara dhe të klientëve të tyre;
ofron një komunikim të vazhdueshëm profesional ndaj operatorëve të tregut finaciar si edhe ndaj institucioneve të tjera që ndikojnë në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të përmirësimit të funksionimit të tregut financiar dhe të operatorëve të tij.
Banka e Shqipërisë, e realizon funksionin e saj mbikëqyrës, nëpërmjet:
a) ndërtimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me parimet më të mira ndërkombëtare dhe i zbatueshëm në praktikë;
b) inspektimeve në vend dhe analizës së treguesve të institucioneve të licencuara, si edhe ndërmarrjes së veprimeve korrektuese për zgjidhjen e problemeve të ndryshme;
c) orientimit të procesit mbikëqyrës drejt identifikimit të rrezikut me të cilin ndeshen institucionet e licencuara, duke rekomanduar zgjidhjet përkatëse;
d) ndërtimit të politikave, të cilat synojnë orientimin e sistemit bankar drejt zhvillimeve të dëshiruara;
e) bashkëpunimit me institucionet financiare që mbikëqyren, me institucione të tjera financiare brenda vendit si edhe me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të tjera;
f) përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse.
Në zbatimin e kërkesave të funksionit mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë synon nivelet më të larta të integritetit, të profesionalizmit, të eficiencës dhe të transparencës.