BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia kremtuese e Javës së Parasë, 21 – 27 mars 2022

Data e publikimit: 24.03.2022

 

Në datën 24 mars 2022 u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë për vitin 2022, gjatë së cilës u ndanë çmimet për nxënësit fitues në konkurset e kësaj ngjarjeje.

Kjo Javë është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.

 DSC3699 498

Prej pothuajse 10 vitesh, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si dhe partnerë të tjerë, bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje, duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. 

 DSC3508 498

Tema e këtij viti ishte “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Ajo nënvizon rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, si premisë për një të ardhme të sigurt e të begatë, duke qenë i pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe novator.

Me angazhimet e saj në fushën e edukimit financiar në këtë dekadë, Banka e Shqipërisë ka dëshmuar se e konsideron edukimin financiar të publikut, si pjesë integrale të detyrave të saj institucionale, pasi vetëm nëpërmjet tij është e mundur mirëqenia e qëndrueshme dhe mbrojtja e shëndetit financiar të secilit, edhe në raste situatash kritike. Ngjarjet e jashtëzakonshme të viteve të fundit kanë nxjerr më në pah nevojën për kultivimin e kulturës financiare, si pjesë të formimit të përgjithshëm të gjithsecilit.

 DSC3576 498

Aktivitetin kremtues të Javës së Parasë 2022 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella.

 DSC3780 498

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se duke qenë të vetëdijshëm dhe duke bërë zgjedhjet e duhura financiare, gjithsecili prej nesh, banka, institucione, biznese, familje por edhe individë, mund të luajmë një rol të rëndësishëm në përballimin e pasojave të situatave të jashtëzakonshme që bota po përjeton. Pikërisht duke ditur këtë rol, Banka e Shqipërisë është bërë promotore e zhvillimit të Javës së Parasë, por jo vetëm, si një mjet më shumë për të shtuar ndërgjegjësimin me qëllim rritjen e kulturës financiare në shoqëri.

 DSC3819 498

Fillimisht, Guvernatori theksoi rëndësinë e madhe që ka përdorimi i monedhës kombëtare kundrejt atyre të huaja. LEK-u luan një rol kryesor dhe të drejtpërdrejtë në përçimin e efekteve pozitive të politikës monetare në ekonominë tonë. Sa më i lartë përdorimi i LEK-ut, aq më e madhe pjesa e ekonomisë mbi të cilën ndjehen efektet e politikave të bankës tonë qendrore. Për më tepër, përdorimi i monedhës vendase ndihmon në amortizimin e goditjeve që vijnë nga sektori i jashtëm përmes minimizimit të goditjeve në të ardhura, konsum dhe në investime etj.

 DSC4223 498

Më tej, Guvernatori nënvizoi rëndësinë e rritjes dhe promovimit të kulturës financiare si kundërpërgjigje ndaj informalitetit. “Ky objektiv nuk i përket vetëm bankës qendrore, por të gjithë agjentëve të ekonomisë, institucioneve edukuese dhe medias, në mënyrë që të rrisim vetëdijen dhe aftësitë financiare të publikut. Këto përpjekje të përbashkëta përveçse rrisin eficiencën e politikës monetare, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përfshirjen financiare të popullsisë”, tha Guvernatori.

Në përfundim, Guvernatori u ndal tek pabarazia shoqërore dhe efekti që situata aktuale ka për thellimin e saj. Krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare. “Për këto arsye, Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj. Ne jemi proaktivë jo vetëm në zhvillimin e tregut dhe infrastrukturës së produkteve financiare, por edhe në rritjen e njohurive mbi këto produkte dhe kulturën financiare në përgjithësi. Është e domosdoshme që individët me të ardhura minimale të mund të kenë akses dhe të përfitojnë nga produktet bazë bankare, të tilla si llogaritë rrjedhëse.”, u shpreh ai.

Ndërsa, Ministrja Kushi në fjalën e saj u shpreh se parasë duhet t’i japim vendin dhe vlerën e duhur. “Si të shpenzojmë por edhe si të kursejmë, si të fitojmë në mënyrë të ndershme por edhe si të investojmë, po në biznese të ndershme, si të luftojmë korrupsionin, pastrimin e parasë, evazionin, abuzimet. Prandaj jo vetëm Banka e Shqipërisë apo Shoqata Shqiptare e Bankave, por edhe sipërmarrjet dhe bankat e tjera duhet të përfshihen në fushatë ndërgjegjësimi për të gjithë shoqërinë”, tha ajo.

 DSC3680 498

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Në kuadër të kësaj jave u organizuan konkurse të ndryshme mbështetur në temën e përzgjedhur të Javës. Konkursi i parë i organizuar ishte ai i “Vizatimit të Mirë” drejtuar nxënësve të klasave III-IV të vendit; konkursi i dytë ishte ai i fotomontazheve (memeve) më të mira drejtuar nxënësve të klasave IX në të gjithë vendin. Konkursi i tretë ishte ai i videos më të mirë drejtuar gjimnazistëve të vendit, dhe konkursi i katërt “Sfida e Javës: 7 pyetje për paranë dhe bankat” me pyetje të ndryshme në Facebook sërish për këtë grup-moshë. Konkursi i pestë ishte ai i esesë më të mirë me temë “Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare” drejtuar studentëve të universiteteve.

Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2022, në datën 30 mars do të organizohet për herë të katërt Kuizi Evropian i Parasë, një konkurs mbarevropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë. Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurrojnë në finalen evropiane të Kuizit Evropian të Parasë, i cili do të zhvillohet online.