BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2024
Data e publikimit: 18.03.2024
Në datën 18 mars 2024, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java Globale e Parasë për vitin 2024, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe edukative. Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila synon ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Gjatë javës 18-24 mars 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe partnerë të tjerë, organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të administrojnë paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht, por edhe si të jenë të kujdesshëm e të shmangin mashtrimet financiare online. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe orë të hapura mësimore.
Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2024 e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, zj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes tepër të vyer të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe partnerëve të tjerë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar.
Tema e këtij viti "Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!", thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar.
“Është shumë e rëndësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Siç mund të lexoni dhe në agjendën e javës, për të edukuar në këtë drejtim të rinjtë dhe më të vegjlit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët e saj do të organizojnë programe dhe aktivitete edukative në të gjithë vendin.” – u shpreh Guvernatori.
Digjitalizimi i shpejtë dhe sfidat urgjente që paraqet ndryshimi i klimës, po transformojnë mënyrën se si konceptohen instrumentet dhe si angazhohemi në marrëdhëniet financiare. Të rinjtë kanë mundësinë të përdorin burimet e tyre si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri dhe mjedis. Edhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë dhe po zbaton dy strategji të rëndësishme për klimën dhe edukimin e përfshirjen financiare.
Strategjia e edukimit shërben si instrument për institucionet arsimore, bankare, financiare, bizneset, OJQ-të etj. që të zhvillojmë së bashku politika, programe dhe materiale edukative, me qëllimin kryesor përmirësimin e kulturës financiare në të gjithë vendin. Përparimi në këtë nismë na përball me sfida dhe rëndësia e ndarjes së përvojave, e mësimit nga njëri-tjetri për të rritur dhe promovuar kulturën financiare bëhet gjithnjë e më e nevojshme.
“Gjej rastin që me çeljen e Javës Globale të Parasë 2024, të shpreh urimet më të mira për suksesin e kësaj fushate. Të përgëzoj dhe falënderoj nxënësit, studentët dhe mësuesit e shumtë që na u bashkuan. I inkurajoj pjesëmarrësit e rinj të angazhohen aktivisht, të bëjnë pyetje dhe të shijojnë përvojën e mësimit. Banka e Shqipërisë është krenare që është organizatori kryesor vendas i kësaj nisme globale, duke nxitur ndryshime të rëndësishme për përfshirjen e edukimin financiar, si dhe digjitalizimin, të cilat kanë rritur ndjeshëm rëndësinë e edukimit financiar në vendin tonë.” – tha Guvernatori.
Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.
Konkursi i parë ishte ai i “Vizatimit më të mirë”, i cili ftoi nxënësit e klasave III, të trajtojnë me vizatime temën e Javës “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde”. Në konkurrim u paraqitën mbi 350 vizatime, të realizuara nga nxënës të 80 shkollave 9-vjeçare.
Konkursi i dytë ishte ai i “Projektit më të mirë” për klasat IV me temë “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!". Gjithsej në konkurs u paraqitën 78 projekte, të realizuara nga rreth 2300 nxënës të 50 shkollave 9-vjeçare të vendit. Nxënësit u angazhuan në trajtimin e temës në një projekt fizik (në formën e një këndi në ambientet e klasës apo shkollës etj.) ose interpretativ (në formën e një shfaqjeje, prezantimi etj.), dhe e prezantuan projektin e tyre përmes një videoje të shkurtër.
Konkursi i tretë ishte ai i “Fotomontazhit më të mirë”, për pjesëmarrjen në të cilin nga nxënësit e klasave VIII u kërkua që, individualisht apo në grup, të zbërthejnë mesazhin e temës së Javës së Parasë, nëpërmjet imazheve dhe diçiturave. Në konkurs u paraqitën 76 fotomontazhe, të realizuara nga nxënës të 40 shkollave 9-vjeçare të vendit.
Konkursi i katërt ishte ai i “Videos më të mirë” me temë “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde – Shmang mashtrimet financiare online!”. Nxënësit gjimnazistë u ftuan të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën, përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 minuta. Videoja mund të ishte produkt i punës individuale ose në grup. Gjithsej në konkurs u paraqitën 45 video, të realizuara nga 75 nxënës të 27 shkollave të mesme të vendit.
Konkursi i pestë ishte ai i “Esesë më të mirë” me temë “Era e re e sigurisë kibernetike në botën e biznesit”. Studentët u ftuan të realizonin ese argumentuese jo më të gjata se 1500 fjalë, duke përmbushur kriteret e shkrimit akademik mbi rëndësinë e garantimit të sigurisë kibernetike dhe ndikimin e saj në të bërit biznes. Gjithsej në konkurs u paraqitën 10 punime, të realizuara nga studentë të 7 universiteteve publike dhe jopublike të vendit.