BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit me Autoritetin Bankar Evropian

Data e publikimit: 26.10.2015

 

Në datë 23 tetor 2015, Autoriteti Bankar Evropian nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me autoritetet mbikëqyrëse të 6 vendeve të Evropës Juglindore: Agjencinë Bankare të Federatës së Bosnje – Hercegovinës, Agjencinë Bankare të Republikës Serbe, Bankën Qendrore të Malit të Zi, Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, Bankën Kombëtare të Serbisë dhe Bankën e Shqipërisë. Në emër të Bankës së Shqipërisë,memorandumi u nënshkrua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj.

1510 vienna mou 0082 copy2 7718 0

Ky memorandum u arrit në kuadër të Iniciativës së Vjenës (një rrjet publik-privat i krijuar për të ndihmuar në garantimin e stabilitetit financiar të vendeve në zhvillim të Evropës) dhe reflekton rolin sistemik të grupeve bankare të Bashkimit Evropian në sistemet financiare të këtyre vendeve.

Ai përbën një kornizë ligjore për zhvillimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit midis palëve. Në këtë kuadër, Autoriteti Bankar Evropian do të mbajë të informuar autoritetet mbikëqyrëse të këtyre vendeve me zhvillimet më të fundit lidhur me standardizimin e rregullave të përfshira në të ashtuquajturin “Libri i Vetëm i Rregullave” (Single Rule Book) dhe progresin e konvergjencës së praktikave mbikëqyrëse, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e këtyre vendeve në kolegjet e mbikëqyrësve.

Nga ana tjetër, autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të Evropës Juglindore, do t’i sigurojnë Autoritetit Bankar Evropian informacion të rregullt dhe të veçantë mbi çështje që lidhen me sistemet e tyre bankare, të cilat do të përdoren për qëllime të analizimit të rreziqeve. Gjithashtu, ato do të përafrojnë standardet e tyre rregullatore e mbikëqyrëse, si dhe praktikat institucionale me ato të Bashkimit Evropian, sipas një axhende të hartuar me kushtet specifike të secilit vend.

Kliko: Njoftimi i plotë për shtyp i Autoritetit Bankar Evropian

Kliko: Memorandumi i Bashkëpunimit (vetëm në anglisht)